ANGLI- Është drejt fundit “Era” e Roman Abramovich te Chelsea. Duke qëndruar në atë që raporton “Blumberg”, manjati rus po mendon të shesë klubin pas 15 vitesh dhe ka nisur të kërkojë një blerës.

Kërkesa e padronit të Bluve të Londrës, që mori skuadrën në vitin 2003 kur ishte në prag të falimentit, është 3.3 miliardë euro, një shifër shumë e lartë duke llogaritur ato që vlerësohen klube të tjerë më të mëdhenj të Premier Ligës.

Gjithsesi në pronësinë e Abramovich, Chelsea ka rritur prestigjin e tij me trofetë e fituar. Gjatë 15 viteve të fundit, Blutë e Londrës kanë triumfuar pesë herë në Premier Ligë, kanë fituar nëtë Kupa në Angli si dhe një trofe të Ligës së Kampioneve.

Këto suksese kanë ardhur si pasojë e shpenzimeve të çmendura në blerjen e lojtarëve dhe afrimin e trajnerëve më të mëdhenj të botës si Murinjo, Ançeloti, Benitez, Konte dhe tani Sarri. Këto investime e kanë bërë Chelsea një klub të rëndësishëm të Europës dhe manjati rus mendon se ka ardhur koha ta shesë për të fituar sa më shumë.

Kërkesa 3.3 miliard euro është shumë e rëndësishme, por mjafton të kujtojmë se në të shkuarën Roman Abramovich refuzoi jo pak por 2.3 miliard stërlina për të hequr dorë nga pronësia e Bluve të Londrës.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb