TIRANE

Hetimet më shumë se një-vjecare të prokurorisë së Tiranës shkaktuan një furtunë të vërtetë në Ministrinë e Drejtësisë. Katër zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të këtij institucioni u vunë nën arrest, pas dyshimeve për shpërdorim detyre dhe shkelje barazie në pesë tendera të zhvilluara përgjatë viteve 2016-2017. Në arrest shtëpie është dërguar ish-sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha.



Ndërkohë janë dërguar në qeli, drejtori i shërbimeve mbështetëse Aurel Lamçe si dhe specialistët e IT, Lysien Ali dhe Arlind Alikaj. Për 8 zyrtarë të tjerë, gjykata me kërkesën e prokurorisë caktoi masën e detyrimit për paraqitje. Burime zyrtare të institucionit thanë se edhe 14 zyrtarë të tjerë, janë nën hetim.



Bëhet fjalë për 5 tendera, që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen elektronike të 7 gjykatave administrative, atë të mbikëqyrjes elektronike të të dënuarve, mirëmbajtjen e Regjistrit Noterial Shqiptar, Sistemin e Monitorimit me kamera për burgun e Lezhës dhe Fushë Krujës, si dhe mirëmbajtja e sistemit elektronik të çështjeve të përmbarimit. Shkeljet janë evidentuar fillimisht nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, e më pas dhe nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Financave.


Hetimet kanë zbuluar faktin se përmes shpërdorimit të detyrës, zyrtarët i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh financiar. Në fokusin e prokurorisë ishin funksionarët publikë që kanë qenë pjesë e njësive të prokurimit, komisioneve të vlerësimit të ofertave dhe komisioneve për mbikëqyrjen e zbatimit te kontratave. Tenderat janë zhvilluara në kohën kur Ministrinë e Drejtësisë e drejtuan Petrit Vasili dhe Ylli Manjani. Prokuroria deklaroi se nëse e sheh të nevojshme do t’i thërrasë në pyetje 2 ish ministrat. Ndërkohë zbatimet e kontratave kanë vijuar edhe në kohën që dikasterin e drejton Etilda Gjonaj.

(BalkanWeb)