TIRANE

Ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani është marrë ne pyetje nga oficeri i policisë gjyqësorë në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me dosjen e abuzimit me tenderat në këtë institucion në kohën kur ai ishte ministër.

Burime për “BalkanWeb” bëjnë me dije se Ylli Manjani ka thënë në Prokurori se ka firmosur praktikat për shkak të detyrës dhe se nuk është marrë me teknikalitete.

Sakaq Prokuroria e Tiranës i ka dërguar një fletëthirrje edhe Petrit Vasilit për të dëshmuar sot në orën 14:00, por deri më tani ish ministri i Drejtësisë aktualisht kreu i grupit parlamentar të LSI nuk është paraqitur. Vasili është thirrur si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit.

Kujtojmë se disa javë më parë, u vunë nën masë sigurie, 11 zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, pas dyshimeve për abuzim me 5 tenderë të dhënë në periudhën 2016-2017.

Për drejtorin Ekonomik Aurel Lamçe dhe specialistin e IT Arlind Alikajn gjykata ka ndryshuar masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie. Gjykata ka vendosur “arrest shtëpie” për Juliana Hoxhën, ish sekretaren e Përgjithshme në MD. Gjithashtu gjykata ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për specialistin tjetër të IT Lusien Ali, i shpallur në kërkim. Për 8 zyrtarë të tjerë, u caktua masa “detyrim paraqitje”.

Sipas prokurorisë hetimet janë shtrirë në 5 tendera si: Mirembajtja dhe mbikqyrja e sistemit ICMIS ne 7 Gjykatat Administrative, Përmiresimi i sistemit të mbikqyrjes elektronike në fushën penale, Përmirësimi, Zhvillimi dhe Mirembajtja e Regjistrit Noterial Shqiptar, Sistemi i Monitorimit me kamera për burgun e Lezhës dhe Fushë Krujës, Përmirësimi dhe mirëmbajtja e sistemit elektronik te çështjeve të përmbarimit.

Hetimet kanë zbuluar faktin se përmes shpërdorimit të detyrës, zyrtarët i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh financiar. Në fokusin e prokurorisë ishin funksionarët publikë që kanë qenë pjesë e njësive të prokurimit, komisioneve të vlerësimit të ofertave dhe komisioneve për mbikëqyrjen e zbatimit te kontratave. Tenderat janë zhvilluara në kohën kur Ministrinë e Drejtësisë e drejtuan Petrit Vasili dhe Ylli Manjani.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb