TIRANE

Drilon Bareti administrator i kompanisë “E.B.A ndërtim shpk”, i arrestuar sot nga policia e shtetit në kuadër të operacionit kundër informalitetit ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë.  “BalkanWeb” ka zbardhur dëshminë e tij përmes së cilës hedh dritë mbi skemën e mashtrimit të TVSH që kanë ndjekur 15 biznesmenët e arrestuar në një operacion të ndërmarrë tri ditë më parë nga policia.

Ai ka pranuar të bashkëpunojë me policinë dhe të tregojë se është mashtruar. Prokurorja Elisabeta Imeraj solli dëshminë e tij në sallën e gjyqit. Ai ka deklaruar se para një viti e gjysmë ndodhej më vështirësi financiare.

“Unë kam punuar disa vite si bojaxhi. Para një viti e gjysmë, duke qenë se kisha një vit punë, unë kisha nevojë për para. Komshiu im më tha që nëse doja të bëja para mund të më ndihmonte ai. Përmes tij u takova me dy persona që më thanë u nevojiteshin disa magazina për materiale ndërtimi. Për këtë duhej regjistruar në QKB një kompani. U dhashë kartën e identitetit. Për këtë mora 150 mijë lekë. Më premtuan se do me paguanin nga 30 mijë lekë çdo muaj, ju thashë: që nëse më mashtronin ose bënin gjëra të paligjshme, do t’i denoncoja.”-mësohet të ketë thënë administratori i “E.B.A Ndërtim Shpk”.

Ndërkohë Shpresa Joanidhi, tha se qëndroi për 4 orë në polici dhe se nuk kishte asnjë dijeni për skemën e mashtrimit.

“Jam biznesmene po nuk kam dijeni për skemën e mashtrimit”-tha ajo.

Prokuroria zbuti masën për 7 nga 15 biznesmenët e arrestuar për mashtrim me skemëne TVSH. Nga masat e kërkuar fillimisht “arrest në burg”, prokurorja Elisabeta Imeraj kërkoi në përfundim masën “arrest në burg” me afat 20 ditor për Besnik Pelivani, Ilia Dimo, Paqësor Buzin, Rabi Kurtin, Astrit Lalën dhe Rrapo Bodurin, ndërsa për Shpresa Joanidhi “arrest shtepie”.

Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, ku një pjesë këmbëngulnin se vuanin nga probleme shëndetësore, apo kishin probleme familjare, prokurorja Imeraj, kërkoi arrest me burg me afat 20 ditor, për 7 nga 15 biznesmenët e arrestuar ku gjatë kësaj periudhe, secili të provojë prentedimet e tyre.

Operacioni u ndërmor më 4 shtator, në kuadër të hetimeve disa mujore nga Sektori i Krimit Ekonomik në Policisë e Shtetit, ku i finalizua me arrestimin e 15 biznesmenëve. Ndërkohë ditën e sotme Policia tha se vuri në pranga një tjetër person të dyshuar si pjesë e skemës mashtruese duke e cuar në 16 numrin e të arrestuarëve.

Këta biznesmen dhe administratorë firmash, kryesisht në fushën e ndërtimit, kryenin shitje dhe blerje me fatura fiktive, e më pas rimbursoheshin nga shteti duke shkaktuar një dëm financiar në miliona euro. Prokurorja Elisabeta Imeraj, njëherësh drejtuese e prokurorisë së Tiranës ka ngritur ndaj tyre akuzat e krijimit të skemave mashtruese, falsifikimit të vulave e stampave si edhe fshehjes së të ardhurave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb