TIRANE – Ministria e Punëve të Brendshme sqaron se 52-vjeçari Qamil Zela, i cili u vetëvar sot në burgun e Rrogozhinës, u arrestua pasi u kap me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Në një njoftim për mediat, MPB bën të ditur se “gjatë kontrollit të ushtruar nga grupet e përbashkëta të OSHEE dhe Policisë së Shtetit ka rezultuar se shtetasi Qamil Zeka furnizonte me energji elektrike dy biznese në pronësi të tij (një Fast Food dhe një sallë interneti), pa matësa të energjisë, por duke i lidhur me banesën e tij me kontratë familjare. Të dy dyqanet u gjetën të hapura dhe në gjendje pune dhe të papajisura me matësa energjie”.

Sipas MPB-së, gjykata e rrethit gjyqësor Lushnje ka vlerësuar si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të shtetasit Qamil Zela dhe ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

“Duke shprehur keqardhjen për humbjen tragjike të jetës së një shtetasi në burgun e Rrogozhinës sqaron opinionin publik se Policia e Shtetit nuk ka arrestuar asnjë person për detyrime të papaguara ndaj OSHEE, por vetëm për vjedhje të energjisë përmes lidhjeve apo rilidhjeve të paligjshme. Ritheksojmë se asnjë shtetas nuk i nënshtrohet procedimit penal si debitor, por vetëm shtetasit që vjedhin energjinë elektrike, duke konsumuar veprat penale të parashikuara nga Kodi Penal. Ministria e Punëve të Brendshme siguron opinionin publik se Policia e Shtetit do të vijojë të zbatojë vetëm ligjin pa shkelur asnjë të drejtë themelore të shtetasve dhe nga ana tjetër fton opozitën të mos bëjë politikë kukuvajkash me ngjarjet e ditës. Përkrahja e paligjshmërisë nuk është rruga për përfitim politik.”- thekson MPB.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: