TIRANE- Auditimi i kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Degën e Doganës Tiranë, për periudhën e ushtrimit të veprimtarisë së kësaj dege për vitin 2014, ka konstatuar disa mangësi e shkelje. Sipas KLSH këtë mangësi konsistojnë në drejtim të zbatimit të legjislacionit doganor, procedurave të zhdoganimit, administrimit të akcizës, mbikëqyrjes së regjimeve ekonomike, nxjerrjes së vendimeve administrative, si dhe administrimit dhe rikuperimit të borxhit doganor, të cilat kanë sjellë si pasojë një efekt financiar negativ në të ardhurat e buxhetit të shtetit në shumën 130,438 mijë lekë, (rreth 931,000 euro). Mbi bazën e këtyre konstatimeve KLSH me shkresën nr. 409/15, datë 08.09.2015 ka depozituar pranë organit të Prokurorisë kallëzimin penal për ish-Kryetarin e Degës së Doganës Tiranë dhe ish-Juristin e kësaj dege, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 409/2, datë 17.04.2015, i ndryshuar me nr. 409/3, datë 19.05.2015, ka kryer auditimin në Degën e Doganës, Tiranë, për periudhën e ushtrimit të veprimtarisë së kësaj dege për vitin 2014, në përfundim të të cilit Kryetari i KLSH-së, me Vendimin nr. 112, datë 08.09.2015, ka miratuar Raportin Përfundimtar të Auditimit dhe masat përkatëse të rekomanduara për përmirësimin e gjendjes.

Nga auditimi u konstatua se gjendja e borxhit doganor në fillim të vitit 2014 ka qenë 1,807,618 mijë lekë, kurse në fund të vitit 2014 ajo ka arritur në vlerë 3,400,073 mijë lekë. Gjendja në fund të periudhës paraqitet me shtesë në 520 raste për 355 subjekte debitorë, në vlerë 1,592,455 mijë lekë rritje të nivelit të borxhit doganor. Shifrat e mësipërme tregojnë për punën e pa organizuar që ka bërë Dega e Doganës Tiranë në drejtim të rikuperimit të borxhit doganor, veprime që bien ndesh me kërkesat e ligjit nr. 8449, datë 27.01.1999 “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 245, VKM nr. 205, datë 13.04.1999 “Për Dispozitat Zbatuese të Kodit Doganor” të konkretizuara në udhëzimin nr. 6, datë 23.07.2013 “Për zbatimin praktik të procedurës së evidentimit, kontabilizimit dhe vjeljes së borxhit doganor dhe akcizës””,thuhet në njoftimin e KLSH.

REZULTATET NGA AUDITI
Të ardhurat e munguara, në shumën 130,438 mijë lekë, për të cilat është kërkuar arkëtimi i detyrimit financiar 100%, janë krijuar si vijon:

– Nga auditimi i procedurave të zhdoganimit mbi vlerësimin doganor dhe klasifikimin tarifor të mallrave, u konstatuan 67 raste në shkelje të ligjit nr. 8449, datë 27.01. 1999 “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, neneve 33-39, Udhëzimit të Ministrit të Financave nr. 25, datë 30.11.2007 “Për procedurat e shqyrtimit të vlerës doganore burimet e informacionit dhe afatet e publikimit të dosjes me të dhëna të disponueshme, si dhe zhdoganimin e automjeteve dhe pjesëve të këmbimit”, Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.

1067, datë 14.12.2013, “Për miratimin dhe publikimin zyrtar të nomenklaturës së kombinuar të mallrave 2014” dhe të Rregullave të përgjithshme për interpretimin e nomenklaturës së kombinuar, të cilat kanë sjellë një efekt financiar të munguar në të ardhurat e buxhetit të shtetit në shumën 14,173 mijë lekë.

-Nga auditimi i procedurave ligjore të zbatuara nga autoriteti doganor kompetent gjatë nxjerrjes së vendimeve administrative u konstatuan raste të kundravajtjes administrative si mosrespektim të afateve kohore të automjeteve përfituese të regjimit të lejimit të përkohshëm, duke favorizuar nëpërmjet aplikimit të dispozitave të gabuara ligjore një sërë subjekte, shkelje të legjislacionit doganor të cilat kanë sjellë një efekt financiar negativ në të ardhurat e buxhetit të shtetit në shumën 24,464 mijë lekë.

Nga auditimi i regjimeve të lejimit të përkohshëm u konstatuan njëzet raste të mos paraqitjes apo paraqitjes me vonesë të dokumentit për mbylljen e regjimit nga ana e operatorëve ekonomik dhe një rast për mos plotësimin e dosjeve me dokumentet përkatëse, veprime të cilat përbëjnë kundërvajtje administrative të cila ndëshkohet me gjobë 50,000 lekë, për çdo rast, ose në shumën 1,050 mijë lekë.

-Nga auditimi, për administrimin e taksës së akcizës u konstatuan disa shkelje dhe mangësi ligjore, si mos llogaritje të prodhimit të artikullit birrë (për taksën e akcizës), bazuar në koeficientet e rivlerësuar të përdorimit të lëndës (maltos) nga mos zbatimi i të cilave rezultuan detyrime doganore të papaguara dhe gjoba të pa aplikuara të cilat kanë sjellë një efekt financiar negativ në të ardhurat e buxhetit të shtetit në shumën 57,581 mijë lekë.

-Nga auditimi i zbatimi të VKM nr. 559 datë 16.08.2006 “Për zbatimin e skemës së shtyrjes së pagesës së TVSH-së”, i ndryshuar, të udhëzimit nr. 1, datë 26.09.2006 të DPD, u konstatuan raste të moszbatimit të afateve kohore të pagesës së TVSH-së së shtyrë të cilat kanë sjellë një efekt financiar negativ në të ardhurat e buxhetit të shtetit në shumën 31,970 mijë lekë.

-Nga auditimi i magazinave doganore u konstatua se regjistrat e magazinave doganore nuk janë plotësuar sipas kërkesave të legjislacioni doganor, veprim i cili përbën kundërvajtje administrative të parashikuar nga ligji nr. 8449, datë 27.01.1999 “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, neni 256/1 dhe në zbatim të nenit 275/1, ndëshkohet me gjobë 50,000 lekë për çdo rast ose në total në vlerë 1,200 mijë lekë.

Sa më sipër, për të gjitha shkeljet e konstatuara nga auditimi, KLSH me shkresën nr. 409/15, datë 08.09.2015, ka depozituar pranë organit të Prokurorisë kallëzim penal për B.D. ish-Kryetar i Degës së Doganës Tiranë gjatë vitit 2014 dhe F.K. ish-jurist në këtë degë, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës në marjen e vendimeve administrative”, parashikuar nga neni 248 dhe 258 i Kodit Penal.

Me Vendimin nr. 112, datë 08.09.2015, Kryetari i KLSH me qëllim përmirësimin e punës në të ardhmen, ka rekomanduar marrjen e 11 masave organizative, 6 masave për kërkimin për shpërblimin e dëmit në shumën prej 130,438 mijë lekë, si efekt financiar negativ në të ardhurat e Buxhetin të Shtetit dhe masave disiplinore nga “Vërejtje” deri në “Largim nga shërbimi civil” për 10 punonjës të Degës së Doganës Tiranë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: