Deputetja Flutura Açka, në rubrikën Opinion në News24, duke komentuar atë se çfarë po ndodh në grupimin e Lulzim Bashës, pasi Gjykata e Apelit, ia kaloi vulën dhe logon e PD-së, grupimit të Sali Berishës, tha se ka munguar një analizë nga strukturat, nga lidershipi, se pse ne humbëm dhe na erdhi ky vendim nga Apeli.

Açka theksoi se e konsideron si të nxituar edhe terminologjinë “demokratët euroatlantikë” pasi kjo thellon edhe më tej ndarjen.

“Ata demokratët atje, anëtarët e kësaj partie, janë pro-amerikanë, pro-europianë, atëherë si mund të përdorësh një terminologji dhe ti konsiderosh disa euroatlantikë, po ata të tjerët çfarë janë? Vërtet një pjesë e lidershipit të partisë kanë sot probleme, por anëtarësia e PD-së janë pro-amerikanë dhe pro-europianë.

PD duhet të reformohet, po shkojmë në 2025 jo të reformuar dhe kjo duhej të ishte kuptuar si nga Sali Berisha ashtu edhe Lulzim Basha.

Ne kemi dy alternativa: ose të reformojmë PD, por nuk ndodh reformimi nëse nuk ndodh bashkimi, dhe kjo nuk po ndodh. Demokratët kanë nevojë për një kuvend të madh pajtimi. Nga unë e para, dhe të tjerët me rradhë, duhet të kërkojmë falje. Duhet të lëshojmë pe, duhet të pranojnë gabimet, duhet të kërkojnë ndjesat e tyre.

Por nuk mund të ndodhë ky pajtim nëse shkaku i ndarjes nuk shërohet.

Nuk besoj se kjo do të ndodhë, pasi po vijon ndarja, po vijojnë sulmet, akuzat, ndaj demokratëve, vetëm se ata mendojnë ndryshe.

Rruga tjetër, është krijimi i një partie të re, ku sërisht do të kemi demokratë, po aq të ndershëm, dhe ndoshta në të ardhmen mund të kemi ose një koalicion apo aleancë të pastër, apo një bashkim”, tha Açka.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb