Hakerët kinezë po pozicionohen në rrjetet kritike të infrastrukturës kibernetike të Shteteve të Bashkuara për një përplasje të mundshme me Uashingtonin, tha të premten një zyrtar i lartë amerikan i sigurisë kibernetike.
Morgan Adamski, drejtor ekzekutiv i Komandës Kibernetike të Shteteve të Bashkuara, tha se operacionet kibernetike të lidhura me Kinën synojnë të fitojnë një avantazh në rast të një konflikti të madh me Amerikën.
Zyrtarët kanë paralajmëruar se hakerët e lidhur me Kinën kanë komprometuar rrjetet e teknolgjisë së informacionit dhe kanë ndërmarrë hapa për të kryer sulme kibernetike në rast të një konflikti. Aktivitetet e tyre përfshijnë sigurimin e qasjes në rrjetet kryesore për të mundësuar ndërprerje të mundshme si manipulim të sistemeve të ngrohjes, ventilimit dhe ajrit të kondicionuar në dhomat e serverëve dhe ndërprerjen e furnizimeve të energjisë dhe ujit, thanë zyrtarët amerikanë në fillim të këtij viti.
Pekini ka mohuar vazhdimisht angazhimin në operacionet kibernetike që kanë në shënjestër infrastrukturën amerikane. Ambasada kineze në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Zoti Adamski po u fliste studiuesve në konferencën e sigurisë “Cyberwarcon” në Arlington të Virxhinias. Të enjten, senatori amerikan Mark Warner i tha gazetës Washington Post se ndërhyrjet kibernetike të Kinës në kompanitë amerikane të telekomunikacionit janë nga më të rëndat për këtë sektor të Shteteve të Bashkuara.
Operacioni i spiunazhit kibernetik, i quajtur “Salt Typhoon”, ka përfshirë vjedhjen e të dhënave, ndërhyrjen në infrastrukturën e dy fushatave presidenciale në Shtetet e Bashkuara përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit dhe ndërhyrjet në kompanitë e telekomunikacionit, që punojnë me forcat amerikane të zbatimit të ligjit, thanë zyrtarë të FBI-së.
FBI-ja dhe Agjencia e Sigurisë Kibernetike po ofrojnë asistencë teknike dhe informacion për objektivat e mundshëm, thuhet në njoftimin e fundit të FBI-së lidhur më këtë çështje.
Zoti Adamski tha të premten se qeveria amerikane ka “ekzekutuar aktivitete të sinkronizuara në nivel gobal, si në aspektin sulmues ashtu edhe në atë mbrojtës, që janë të përqendruara në degradimin dhe ndërprerjen e operacioneve kibernetike të Kinës në mbarë botën”.
Shembujt publikë përfshijnë ekspozimin e operacioneve kineze në fushën kibernetike, sanksionet, aktakuzat, veprimet e forcave të zbatimit të ligjit dhe këshillimet për sigurinë kibernetike, me të dhëna nga shumë vende, tha zoti Adamski./VOA/