Thuhet se Adele refuzoi një marrëveshje prej 200 milionë dollarësh për të zgjatur turneun e saj.
Superylli 36-vjeçar i popit raportohet se refuzoi kërkesën për më shumë shfaqje, duke përfshirë datat e stadiumeve në Evropë, Azi dhe Amerikën e Jugut.
Një burim i ka thënë Daily Mail se ajo “ka pasur shumë oferta, por i ka refuzuar të gjitha sepse dëshiron të jetë në shtëpi me djalin e saj”.
“Marrëveshja i vuri miliona dollarë në tavolinë, por ajo nuk donte ta bënte këtë. Ajo ka vënë fëmijën dhe të dashurin e saj dhe veten në radhë të parë”, ka thënë burimi.
Adele është e fejuar me partnerin e saj, agjentin sportiv Rich Paul dhe është gjithashtu nënë e djalit Angelo nga martesa e saj e mëparshme me Simon Konecki. Angelo mbush 12 vjeç në tetor.
Këngëtarja njoftoi planet për një pushim të gjatë nga muzika, gjatë koncertit të saj të fundit, që mbajti në Munih të Gjermanisë, më 31 gusht.
“Kam 10 shfaqje për të bërë, por pas kësaj nuk do t’ju shoh për një kohë tepër të gjatë”, ishte shprehur me lot në sy këngëtarja.
Adele ka thënë gjithashtu për median gjermane ZDF se ajo nuk ka në plan të bëjë ndonjë këngë të re.
“Nuk kam fare plane për muzikë të re. Dua një pushim të madh pas kësaj dhe mendoj se dua të bëj gjëra të tjera krijuese”, është shprehur ajo.