SHKODER-Kandidatja e Partisë Demokratike për kryetare e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, ka prezantuar përpara banorëve të Shkodrës programin elektoral “Për Shkodrën e së Ardhmes”. Me pjesmarrjen e qindra mbështetësve, profesionistëve të fushave të ndryshme, përfaqësues të shoqërisë civile, personaliteteve të politikës dhe deputetë të Parlamentit Shqiptar, Voltana Ademi ka shpalosur me hollësi të gjitha shtyllat e programit të saj duke u ndalur edhe tek nevojat specifike në sektorë të rendësishëm për zonat e ndryshme të kësaj bashkie.

“Të shërbesh për mua do të thotë të zbatosh ligjin, të punosh me përgjegjësi, profesionalizëm, ndershmërisht dhe me transparencë. Përfshirja e njerëzve në vendimmarrje, partneriteti publik-privat do të jenë çelësi i suksesit në përdorimin me efiçencë të financave, burimeve për projektet që do të realizojmë së bashku. Ne do të përmirësojmë më tej qeverisjen lokale për të siguruar mjetet e nevojshme për të shërbyer, për t’u zhvilluar e për të krijuar vende pune. Ne do të punojmë për të rifituar besimin e investitorëve vendas e të huaj për të siguruar rritje, për të zhvilluar ekonominë, bujqësinë, turizmin dhe biznesin. Ofroj një program të përgatitur nga specialistët më të mirë të fushave respektive me të cilët prej vitesh kam punuar në hartimin e dokumentave strategjike dhe projekteve për zhvillimin e territorit”.

Në këtë takim ishte i pranishëm sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani, i cili u ka bërë thirrje shkodranëve që të votojnë alternativën e Partisë Demokratike për “Punë dhe Dinjitet” dhe programin e kandidates Voltana Ademi e të mos e shesin votën e tyre tek PS dhe LSI.

“Po e varfërojnë dhe po e dhunojnë që në fund të vijë skalioni i tretë dhe t’ua blejë votën. Po ua blen shumë lirë pasi i ka varfëruar dhe dhunuar aq sa duhet. Duhet të jemi absolutisht të vëmëndshëm, absolutisht dinjitozë në mënyrë që të mos e lejmë vendin të shkojë drejt këtij drejtimi të gabuar. Do ju bëja thirrje të votojmë të gjithë Partinë Demokratike pa devijuar asnjë votë. Të votojmë numrin 15 në fletën e votimit, të votojmë të gjithë Partinë Demokratike dhe sigurisht të votojmë Voltanën për kryetare të Bashkisë”.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: