TIRANE

Ndonëse me një karrierë të gjatë në televizion, moderatori Adi Krasta ka rrëfyer sot për herë të parë se kush ishte personi që i dha shtysë në këtë profesion.

Ndërsa qëndronte përballë të ftuarit të tij special në ‘A Show’, Sali Berisha, për herë të parë në karrierën e tij televizive, Krasta zbuloi se ishte pikërisht ish-kryeministri ai që e kishte ndihmuar të niste punë si fillim në radio.

Krasta pyeti Berishën nëse ishte penduar ndonjëherë për ndihmën që i kishte ofruar gazetarit. Ndërkohë, ish-kryeministri pohoi se nuk pendohej kurrë kur kishte mundësi të ndihmonte njerëzit.

‘BalkanWeb’ sjell të zbardhur një pjesë nga intervista.

Krasta: Gazetarët kanë edhe lidhje njerëzore me njerëzit e pushtetit. Unë kam pasur një fat të jashtëzakonshëm individual, pasi ju keni bërë një ndërhyrje personale që unë deri vonë s’e kam konceptuar se si ju më keni ndihmuar që të nis punë në radio. Ndërkohë, neve, se si na ndodhën ca gjëra që ndikuan dhe tek unë dhe tek ju. Ju jeni penduar ndonjëherë që më keni ndihmuar mua të bëhem gazetar?

Berisha: Kurrë.

Krasta: Më keni marrë ndonjëherë inat?

Berisha: Jo, kurrë. Unë nuk jam…. i sigurt të jesh, unë jam një njeri i pasionit, por kurrë viktimë e hakmarrjes, e urrejtes. Përkundrazi. Nëse do kesh urrejtjen, të gllabërojnë pasionin. Nuk jam bërë kurrë ndonjëherë pishman, nëse kam pasur mundësi të ndihmoj një njeri. Unë kam një koncept të gjerë për lirinë. Liria është zgjedhje dhe e harrojmë këtë. Sa herë ta harrojmë këtë, aq herë gabojmë. Nëse e rikujtojmë këtë, mbetemi brenda civilitetit në raport me lirinë.

Krasta: Përfitoj nga rasti që t’ju falënderoj juve me gjithë zemër për atë ndihmë substanciale dhe jetësore që ju me keni dhënë mua.

Berisha: Mendoj se e ke merituar 100 herë atë gjë. Fakti që ke arritur të ndërtosh karrierë të lakmueshme, ka dëshmuar se investimi yt i suksesshëm ia ka vlejtur edhe për shoqërinë.

Krasta: Ndërkohë, shpresojmë shumë që të bëjmë edhe intervista të tjera…

Berisha: Unë e thashë, kjo është e para, por jo e fundit.

Krasta: Ju falënderoj me gjithë zemër!

Berisha: Shumë faleminderit. Dua të shfrytëzoj për të uruar shqiptarët e krishterë këtë natë kudo që janë. Gëzuar këtë natë të madhe! Ditën e lindjes së burrit që transformoi më shumë botën. Dhe uroj që me shpresë dhe besim, viti që vjen të na gjejë më mirë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: