TIRANË- Në kohën kur Partia Socialiste po denoncon punësimin e familjarëve nga drejtues të LSI-së në pushtetin lokal, akademiku Artan Fuga jep një zgjidhje për zgjidhjen e kësaj situate.


Ai sugjeron që brenda dy ditësh të nxirret një vendim qeverie që shteti ndërpret menjëherë marrëdhëniet e punës me këdo që ka lidhje familjarisht brenda ansamblit të ministrive, institucioneve kushtetuese dhe bashkive.


Nga Saranda pak ditë më parë Rama denoncoi punësimet e familjarëve të kryebashkiakut të Delvinës. Po kështu dje në Berat, kandidati i PS-së për deputet lexoi një listë me emra të punësuar nga kreu i bashkisë i LSI-së.


Nga Artan Fuga

Administrata nepotike
Katër vjet na thanë se kishim bërë shtet. Dy javët e fundit papritmas po na bindin se në vend të një administrate publike ose në pushtetin lokal paskëshim një tufe kunetërish, baxhanakësh, çunash daje, krushqish që familjarisht ndajnë poste, punësojnë njeri-tjetrin, dhe e kanë bërë administratën shtetërore ose bashkiake si oborr shtëpie ku për natë bëhet dasmë mes krushqish me aheng.
Po ne kemi katër vjet që u themi dhe ata na vërvisin qenër e zagarë për të lehur: jo, jo, jo.
Po këtë e di çdo lypës endacak në Shqipëri!
E di çdo i ri dhe e re që ka pasur iluzionin që të hyjë në ndonjë konkurrim punësimi.
Një dramë e pafund për ta, sa lot dhe psherëtima, mbytur nga të qeshura cinike dhe prapamendime pinjollësh që gjithçka e gjejnë gati!
Se mos sot vetëm!
Tani e morën vesh këta???
Nxirrni pra brenda dy ditësh VKM që shteti ndërpret menjëherë marrëdhëniet e punës me këdo që ka lidhje familjarisht brenda ansamblit të ministrive, institucioneve kushtetuese dhe bashkive.
Kaq pra t’ju besojmë një herë të vetme.
Mos shkoni në Bilisht të gjeni nepotizmin. Nuk ka nevoje veç merrni urbanin brenda unazës dhe do të shihni çfarë katrahurë keni!
Përndryshe vazhdoni të bëni demagogji, të na gënjeni me fjalë të mëdha, të bëni gjoja Ce Guevaren me llogje tribunash. Opium.
Meqë jemi këtu, unë jam në gjendje t’u provoj se me përjashtim të një pakicë nëpunësish administrate, jo më shumë se 11% e tyre, që janë me meritë, nuk do të gjeni një, po vetëm një, që të jetë i punësuar në administratë dhe që të mos jetë:
1. Me lidhje familjare me shefat ose njerëz pranë pushtetin lokal ose qendror.
2. Mos të ketë paguar ryshfet.
3. Mos të jetë militant partie ose elektorat i partisë.
4. Mos të jetë nën presion për të ushtruar aktivitet elektoral.
5. Mos jetë pjesë e trafikut të influencave nepotizmit ose i shkëmbimeve të shërbimeve midis personave me influencë në pushtet administrativ, mediatik, financiar, etj.
Hapeni thesin dhe do ta shihni se çfarë ka brenda.
Në dollap do të gjeni kadavra!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: