Në emisionin “Open” në News24, është debatuar mbi qëndrimin e fundit të Ambasadës së SHBA në Tiranë, ku nuk ndryshon qëndrimin ndaj kreut demokrat Sali Berisha, i shpallur ‘non grata’.
Analisti Dritan Hila tha se PD mendon se është kërthiza e Botës.
Hila tha se “non grata” nuk do t’i hiqet Sali Berishës, pasi është vendim i marrë nga Departamenti i Shtetit. “’Non grata’ që është marrë ndaj Berishës dhe familjes së tij ka në dosje të thëna dhe të pathëna, janë fakte që janë mbledhur nga shërbimet sekrete. Nuk besoj se Presidenti Donald Trump do të ketë një fuqi aq të madhe sa të zhbëjë vendimin e DASH-it”, tha Hila.
Ai u shpreh se Ambasada e SHBA ka një afrim me PD-në, por ka vendosur kushtin që nuk bashkëpunon me Berishën.
“Administrata amerikane është një nga administratat më të mëdha në Botë. DASH ka me mijëra punonjës. Dosja e Berishës u hartua në kohën e mandatit të parë të Trump, Blinken thjesht e shpalli”, tha Hila.
Ai theksoi se Presidenti amerikan nuk ka fuqi aq të shpërndajë Kongresin, aq më tepër të ndryshojë politikat e DASH-it. “Trump do e ketë vëmendjen në Lindjen e Mesme, është bërë çorap atje”, tha Hila.
Por anëtari i Kryesisë së PD-së, Aldo Bumçi, ka një tjetër qasje, duke besuar se administrata Trump do të heqë ‘non grata-n’ për Sali Berishën. Ai u shpreh se ka një deklaratë të Marco Rubio që e konsideron jo të drejtë politikën e ‘non grata-ve’ të shpallura nga administrata Biden. “Lee Zeldin publikisht ka deklaruar që është e paimagjinueshme që nuk më jepet informacion lidhur me Berishën”, tha Bumçi. Ai theksoi se Lee Zeldin është ministri i Mjedisit në administratën Trump. “Politika e Sekretarit të ri të Shtetit, Marco Rubio është e qartë. Kemi 3 rezolutat e partive të djathta europiane dhe amerikane që deklarojnë se Sali Berisha është një i burgosur politik”, tha Bumçi.
Por Hila në një replikë me Bumçin i tha “boll i gënjyet demokratët, asgjë nuk do të ndryshojë”.
Anëtari i Kryesisë së PD-së tha se me fitoren e Trump kemi një frymë të re.