Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se po merr masa kundër cigareve elektronike me aromë që kanë rezultuar të lidhura me rastet e problemeve në frymëmarrje, madje edhe me dëmtimet e rënda të mushkërive dhe vdekjen. Pirja e cigareve elektronike është bërë shumë popullore rishtazi, pasi shumë njerëz e menduan si një alternativë më të shëndetshme se duhani. Aroma si mente, çamçakëz, akullore apo biskota kanë tërhequr të rinjtë. Por një rritje në numrin e adoleshentëve që po pësojnë probleme serioze në mushkëri dhe disa raste vdekjesh, kanë alarmuar zyrtarët. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Zlatica Hoke, administrata Trump po përgatit ndalimin e të gjitha cigareve elektronike të aromatizuara.

Njoftimi u bë pasi adoleshentët që kishin përdorur cigare elektronike të aromatizuara në disa shtete amerikane përfunduan në spital me probleme në mushkëri, që nga vështirësitë në frymëmarrje dhe deri tek dëmtime të theksuara të mushkërive. Hunter Sims, student nga Teksasi, thotë se për pak vdiq nga pirja e cigareve elektronike.

“Thjesht duhet ndalur. Qeveria duhet të godasë fort, përpara se situata të përkeqësohet më tej”, thotë Hunter Sims, i cili u shtrua në spital për shkak të tymosjes së cigareve elektronike.

Ndërsa sëmuren gjithnjë e më shumë fëmijë, prindërit po ngrenë më shumë zërin e tyre duke kërkuar që të veprojë qeveria federale.

“Duhet të kërkojmë ndalimin e të gjitha produkteve të aromatizuara që tërheqin fëmijët. Askush nuk thotë ‘ta provoj këtë me shijen e nikotinës’. Ata dëshirojnë aromat dhe shijet që qartësisht kanë në objektiv fëmijët”, thotë Ruby Johnson, nënë e një viktime nga tymosja e cigareve elektronike.

Presidenti Trump njoftoi të mërkurën se administrata e tij do të marrë masa për ndalimin e këtyre cigareve, megjithë dëmin që do të pësojë tregtia.

“Me sa kuptoj, cigaret elektronike janë bërë një biznes gjigand në shumë pak kohë. Por, nuk mund të lejojmë që njerëzit të sëmuren dhe të preket rinia jonë”, tha Presidenti Trump.

Sekretari i Shëndetësisë, Alex Azar, tha se në Shtetet e Bashkuara, rreth 8 milionë të rritur, si dhe 5 milionë të mitur përdorin cigare elektronike. “Një gjeneratë e tërë fëmijësh rrezikohen të ndërvaren nga nikotina për shkak të joshjes, tërheqjes dhe disponueshmërisë së produkteve të tymosjes elektronike”, tha Sekretari Azar.

Sekretari Azar thotë se ndalimi i shitjes do të jetë për të gjitha cigaret eletronike të aromatizuara, përveç atyre me vetëm shije duhani. Prodhuesit e cigareve elektronike do të duhet të marrin miratimin nga Administrata për Ushqimin dhe Ilaçet (FDA) përpara se t’i fusin në treg.

“Prodhuesit e cigareve elektronike me shije duhani duhet të aplikojnë deri në maj 2020 për miratim nga FDA të produkteve të tyre. Produktet e tjera të aromatizuara mund të miratohen gjithashtu nga qeveria, por deri në atë moment duhet të tërhiqen nga tregu”, tha Sekretari Azar.

Disa ekspertë të shëndetësisë duan edhe më shumë masa mbrojtëse për fëmijët. “Aromërat mund të ekzistojnë, por të mos quhen me emra që e dimë se kanë në objektiv të miturit”, thotë Linda Vail, zyrtare e shëndetësisë në Miçigan.

Javën e kaluar, Miçigani u bë shteti i parë amerikan që ndaloi produktet e tymosjes elektronike. Ka shqetësime megjithatë se ndalimi mund të nxisë shitjen e paligjshme të këtyre produkteve. Ekspertët po bëjnë thirrje për më shumë arsimim mbi rreziqet e cigareve elektronike dhe përpjekje të sinkronizuara për t’i dekurajuar të miturit të mos fillojnë një ves të tillë. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb