Sinan Idrizi ka një “peng” nga merkato e janarit, pikërisht Ledian Memushajn. Një fakt të tillë e konfirmoi edhe dje në një intervistë për “Panorama Sport”, ndërsa evidentoi se nuk do ta lërë me kaq. Administratori foli edhe për largimet, si dhe deklaroi se ka një marrëveshje me Kamzën për Mersinin. Kur preket tema “Alvesh”, ka të njëjtën përgjigje gjithnjë, ndërsa këmbëngul se braziliani do të vonojë për tri vite.

Memushaj nuk erdhi. Si ndiheni?
Shanset janë akoma që Memushaj të vijë në Vlorë. Ne i kemi bërë një ofertë dhe ai ka qenë korrekt me ne. Por Memushaj ka një karrierë të stabilizuar në Itali. Gjithsesi, unë nuk e lë me kaq këtë histori. Është një dëshirë klasike e imja për vlonjatët. Memushaj dëshiron që të vijë në Vlorë, kështu që unë do ta realizoj këtë gjë.

Nuk erdhi as Aliaj…
Është e njëjta histori edhe për të. Ia kemi bërë ofertën, madje është një ofertë shumë e mirë dhe konkurruese.

Ergis Mersini ka arritur akordin me Kamzën, e vërtetë është?
Ka qenë presidenti i Kamzës ai që më ka telefonuar dhe më ka kërkuar Mersinin. Unë sot (dje) jam në Tiranë dhe nuk e di se çfarë është bërë, nëse ka shkuar apo jo. Parimisht kemi rënë dakord që Mersini të shkojë te Kamza.

Flitet për një largim të Alesio Hysenit. A mund të na e konfirmoni?
Nuk e di këtë gjë. Por kushdo që e dëshiron Hysenin, të vijë dhe të trokasë te ne. Ta diskutojmë dhe më pas vendosim.

U përfol edhe për një rikthim të Liçajt te Luftëtari. Si është e vërteta?
Liçaj është një djalë shumë i mirë vlonjat. Ai është në kontratë te Flamurtari. Është një djalë shumë pozitiv dhe që do të qëndrojë gjatë te ne.

Ivan Jakovljeviç u largua. Mund edhe që të rinovonit me të?
Për Jakovljeviçin kishte dy qëndrime. Por qëndrimi i shumicës ishte që të mos rinovonim më me të. Ai ka bërë shumë mirë te Flamurtari dhe unë e falënderoj për këtë punë të mirë.

Neziraj përfundoi te të rinjtë, mendoni se do ta pranojë këtë gjë?
Këto janë zgjedhje të trajnerit dhe jo të miat. Trajneri e di se cili lojtar i bën punë në fushë. Neziraj është një djalë shumë i mirë, profesionist dhe i civilizuar.

Ibrahima Toungara u huazua te Liria. Pse?
Ky ishte vendimi që morëm. Mendojmë se kemi bërë gjënë e duhur. Është thjesht huazim.

Është afruar ndonjë për të blerë Danilo Alveshin?
Unë nuk e shes Alveshin. Nuk ka klub në Shqipëri që e blen atë, ai nuk ka çmim. Kam shumë punë për të bërë me Alveshin. Po mendoj që të rinovojmë edhe për tri vite të tjera.

Është mbyllur merkato?
Them se është mbyllur. Do të kemi vetëm afrimin e dy lojtarëve nga ekipi U17 që do të udhëtojnë me ekipin në fazën përgatitore në Antalia.

Çfarë prisni nga ky Flamurtar?
Pres atë që prisni edhe ju, atë që presin të gjithë sportdashësit.
Burimi:http://www.panorama.com.al/sport/administratori-idrizi-i-fiksuar-memushaj-pengu-im-ja-levizjet-e-flamurtarit-ne-merkato/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: