Nga XHOI JAKAJ*

Në rubrikën këshilla për t’ju ardhur në ndihmë për disa probleme sociale që shqetësojnë shoqërinë, kam menduar që herë pas here të trajtoj tema të adoleshencës, rinisë dhe femrave në integrimin e tyre. Meqë një nga problemet më shqetësuese tek adoleshentët është përdorimi i alkoolit, drogës dhe cigares, po sjellim disa këshilla për prindërit, se si duhet të sillemi me fëmijën tonë edhe kur ai shfaq probleme dhune të kushtëzuar nga përdorimi i tyre.
Parandalimi është më i lehtë se shërimi…
1
Tregojeni me fjalë dhe shembuj konkretë që përballimi i situatave të vështira dhe i problemeve që nisin në jetën e një adoleshenti për arsye të ndryshme nuk zgjidhen duke përdorur alkool, duhan apo lëndë narkotike. Sqaroje me durim e kujdes se gjithkush që i ka hyrë asaj rruge, përfundimi i tij ka qenë dështimi në jetë, në familje, karrierë dhe shpeshherë në dashuri……
2
Nëse nuk ka motive të vlefshme dhe ka rënie në mësime, probleme në familje, apo gjendet nën një plogështi totale, kjo situatë duhet të merret si sirenë alarmi, e nëse do identifikoheshin në kohën e duhur, problemi juaj do jetë më i lehtë për t’u zgjidhur.
3
Kontrolloni mënyrën se si fëmija juaj në adoleshencë i shpenzon paratë dhe nëse ke nuhatur që përdor duhan apo cigare hashashi është momenti t’i reduktoni shpenzimet dhe t’i ndryshoni në mënyrë të menjëhershme ritmin e veprimeve ditore dhe të konsultoheni me specialistë. Shpesh prindërit për të mbuluar mungesat e tyre pranë adoleshentëve, maskohen nën petkun e parasë për t’i kompensuar deri diku kohën pranë tij, e në vend që ta ndihmosh, i ke dhënë stimul për çorientim.
4
Mos u bëj në mënyrë kategorike aleat me adoleshentin nëse ke zbuluar cigare, apo më keq hashash në çantë edhe kur përpiqet të gjejë njëmijë e një justifikime që nuk është e imja, element të cilin për të dalë nga situata adoleshentët e përdorin në mënyrë sistematike. Ata për të dalë nga kjo gjendje përdorin shprehjet, “kam botën time dhe shoqëria ime të njëjtën gjë bën” “nuk është fundi botës” “tani jam i rritur” etj., etj., slogane të tilla të kohëve që jetojnë prindërit me adoleshentët. Por nuk duhet në mënyrë absolute ta tolerosh, as të bëhesh palë në gabimin e bërë…. Toleranca në këtë rast duhet të jetë zero.
5
Bashkëbisedo me fëmijën në adoleshencë shpejt dhe në mënyrë urgjente e mos neglizho në asnjë moment, nëse ke nuhatur që është në prag përdorimi lëndësh narkotike se do jetë tepër vonë po prite ti si prind të mbarosh të gjitha detyrat e tjera ditore e jetësore.
6
Vendos kufij të prerë dhe mos kini frikë nga kundërveprimi i tyre, pasi vetëm në këtë mënyrë po e mbron nga rreziku, në rast se tregohesh tolerant do rrezikosh më së shumti.
7
Krijo me të motiv të ri, që ta largosh sa më parë nga rreziku, nxite për një sport të ri apo ndrysho format e argëtimit që të shpenzojë energji të tjera shtesë e të mos i referohet vesit drejt të cilit mundet të ketë rendur dhe për arsye nga më të ndryshmet. Si shoqëria jo e duhur, tepri e kohës së lirë të adoleshentit dhe mosvëmendjes së prindërve për shkak të jetës së ngarkuar.
8
Ndërto një test të fëmijës tënd për të zbuluar tipin e tij që pastaj të marrësh masat e duhura, psh… a ka prirje fëmija juaj për të pasur…
a- Autokoshiencë
b- Menaxhim të emocioneve të momentit
c- C-Menaxhim të situatave stresante
d- Sensi i tij kritik ndaj gjithçkaje që e rrethon
e- Për vendimmarrje
f- Në zgjidhjen e problemeve
g- Aftësia komunikative
h- Aftësia për të dëgjuar dhe mësuar nga gabimet
i. A është mjaftueshëm social dhe a integrohet në shoqëri të reja lehtë apo me vështirësi…
9
Nëse do punoni me vëmendje rreth kësaj situate që ti ndërtove me fëmijën tënd në adoleshencë, ka gjasa që ta parandalosh rrezikun e përdorimit të lëndëve psikotrope si dhe dëshirës për të përdorur cigaren në moshë shumë të vogël.
10
Nëse ka ndodhur që fëmija juaj në adoleshencë është i përfshirë në grackën që i ofron përdorimi i tyre, atëherë drejtoju sa më parë qendrave të rehabilitimit dhe qendrave psikologjike pa hezituar se problemi do ekspozohet, sepse tashmë nuk ke çfarë të presësh më tepër nga këshillat apo sugjerimet, në këtë rast ti nuk je më efikas me rregulla, receta apo çfarëdo tjetër, tashmë trupi dhe truri i adoleshentit është i tëri nën presionin e varësisë së lëndëve psikotrope…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: