Nga Klodiana Lala
TIRANË- Prokuroria e Durrësit po zhvillon në sekret të plotë hetimin ndaj ish-prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla. Ndonëse çështja është regjistruar zyrtarisht, nuk ka asnjë të dhënë se çfarë ka rezultuar deri më tani nga hetimi.

Megjithatë, burime të besuara për News24 dhe “BalkanWeb” pohuan se prokuroria 10 ditë më parë i është drejtuar me shkresë zyrtare Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, një prej organeve kryesore të Vettingut, duke kërkuar t’i vihet në dispozicion dosja e subjektit të rivlerësimit Adriatik Llalla.

Të njëjtat burime konfirmojnë se dosja i është kërkuar trupës që kishte nën hetim administrativ ish-prokurorin e Përgjithshëm, e cila u detyrua të ndërpresë procesin e Vettingut, pasi Llalla hoqi dorë nga e drejta për t’u emëruar gjykatës në Apel, duke dalë përfundimisht nga radhët e sistemit të drejtësisë.

Burimet saktësojnë se materiali voluminoz iu vu në dispozicion prokurorisë, në kuadër të hetimi penal që po zhvillohet. Në dosjen e KPK ndodhen të gjitha deklaratat e pasurisë së subjektit të rivlerësimit, si dhe të dhëna të tjera që priten t’i shërbejnë hetimit të çelur.

Burimet janë tejet të rezervuara për të dhënë detaje mbi mënyrën sesi Adriatik Llalla ka shkelur ligjin dhe ka konsumuar veprën penale të pastrimit të parave, apo ndonjë vepër tjetër penale.

Për momentin, ajo që dihet është se prokuroria ka në duar dokumentet e sekuestruara në disa institucione, si KPK, ILDKPI, drejtoria e Pastrimit të Parave, zyrat noteriale dhe bankat e nivelit të dytë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb