Një institut kërkimor britanik bën çdo vit një renditje të aeroporteve më të përpikta në botë, duke i klasifikuar ato në tri kategori. Sikurse dhe perceptimi i hershëm publik, rezulton se japonezët dhe nordikët, janë më korrektët


Saktësia dhe përpikëria në zbatimin e orareve është një element shumë i rëndësishëm në çdo biznes e aq më shumë, në atë të transportit ajror të njerëzve. Performanca e çdo aeroporti në botë është sigurisht e matshme në mënyrë periodike, duke futur në këtë proces shumë elemente.


Kështu kanë bërë edhe analistët e organizatës britanike e specializuar në kërkimin e tregjeve, OAG, të cilët kanë gjurmuar korrektësinë e linjave ajrore dhe aeroporteve në mbarë botën gjatë vitit 2015.


Studimi i “The group’s Punctuality League 2015” ka arritur në përfundimin se:
Aeroporti i Mynihut, për shembull, renditet i dyti ndër aeroportet më të mëdhenj më të përpiktë aktualisht në botë. Në vitin 2015, sipas studimit në fjalë, ai kapi nivelin e 87,7% të të gjitha fluturimeve “on time” (të përpikta në kohë) – çka do të thotë nga ana tjetër, se sidoqoftë, maksimalisht ka pasur një vonesë mesatare prej 15 minutash.

Ndër aeroportet me më shumë se 20 milionë pasagjerë, Mynihu renditet pas atij të Tokios “Haneda”, që ka zënë në renditje vendin e parë. Aeroporti i kryeqytetit japonez, arriti një kuotë on time prej 91,3%.

Aeroporti i Frankfurtit, apo shoqëria që e ka pronësi, e cila sapo ka marrë edhe monopolin apo koncesionin për shumicën e aeroporteve të fqinjit tonë, Greqisë, arriti kësisoj me 84,1%, vendin e nëntë për nga korrektësia në zbatimin e orareve.

Ndër aeroportet e cilësuara si “mesatarë”, e që trajtojnë një kontingjent 10 deri në 20 milionë pasagjerë në vit, në vendin e parë të tabelës renditet ai i Kopenhagës, duke lënë pas një ndër aeroportet e Moskës “Sheremetjevo”, atë të Helsinkit, të Brisbane (në Australi) dhe atë të Salt Lake City (në SHBA).

Aeroporti i Hamburgut renditet në vendin e dhjetë, ndërsa ai i Berlinit “Tegel”, për shembull, në vendin e njëmbëdhjetë.

Nota të mira për japonezët
Ndër aeroportet e cilësuar si “të vegjël”, me një kapacitet përpunues prej më pak se 10 milionë pasagjerë në vit, më i përpikti është ai i Osakës në Japoni, duke lënë pas atë të Brukselit “Charleroi” dhe atë të Panama City, në Panama.

Në këtë kategori, shihen të jenë sërish nordikët ata që kapin dy herë një vend në dhjetëshen më të mirë: Stavanger (në Norvegji, vendi i katërt) dhe Bergen (Norvegji, vendi i pestë).

Gjithsej, nëse i hedh një sy të shpejtë listës së ekspertëve britanikë që kanë kryer studimin, sheh se: aeroportet më të mëdhenj në botë, kanë tendencën të kenë më shumë probleme me korrektësinë, pra që të regjistrojnë nisje dhe ulje në orarin e planifikuar.

Kuotat on time të 20 aeroporteve më të mëdhenj në vitin 2015, ishin te niveli 80 deri në 88%. Kryesuesit ndër aeroportet e vegjël shpesh shihet se kanë arritur përgjatë vitit që mbyllëm më shpesh kuotën e më shumë se 90%.

Në një mënyrë më të përmbledhur, renditja që grupimi kërkimor britanik, AOG ka shpallur për këtë vit ndër aeroportet më të mëdhenj në botë, është si më poshtë:

1- Tokio, aeroporti “Haneda”, 91.25%
2- Mynihu, 87.71%
3- Sao Paulo, aeroporti “Guarulhos”, 87.47%
4- Minneapolis, SHBA, 85.27%
5- Sidnej, Australi, 85.20%
6- Melburn, Australi, 85.02%
7- Singapor, Aeroporti “Changi”, 84.75%
8- Atlanta, SHBA, 84.38%
9- Frankfurt, Gjermani, 84.12%
10- Seattle, SHBA, 83.56%

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: