Nuk do të jenë më turqit ata që do të marrin përsipër ndërtimin e aeroportit të Vlorës, sikurse ishte deklaruar një vit më parë me entuziazëm nga kryeministri Edi Rama. Nuk dihet se përse nuk është përmbyllur marrëveshja mes konsorciumit turk të tre kompanive Cengiz, Kalyon dhe Kolin Construction me qeverinë shqiptare. Por ajo që dihet është fakti se shumë shpejt do të hapet gara për të ftuar të tjerë investitorë në ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në lidhje me këtë aeroport ka përfunduar afati ligjor për koncesionin që në shtatorin e vitit të kaluar. Ministria konfirmon zyrtarisht se për ndërtimin e kësaj vepre do të ketë një garë ndërkombëtare.

“Lidhur me aeroportin e Vlorës. Ka përfunduar afati i ligjit për koncesionin e ‘Vlora International Aeroport’ që në shtator të vitit 2018. Konfirmojmë zyrtarisht se do të ketë një garë ndërkombëtare për ‘Vlora International Aeroport’ pasi interesi është i madh nga investitorët. Dhe ky proces do të përmbush të gjitha kushtet ligjore dhe elementët e transparencës.”

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë gara do të përmbajë kushtet e ndërtimit, operimit, transferimit për kompaninë që do të dalë fituese. Kjo kompani që do të ndërtojë aeroportin do të jetë një koncension për 35 vite e më pas do ta transferojë veprën në pronësi të shtetit shqiptar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb