NGA ORNELA MANJANI

TIRANE– Të gjitha bizneset duhet të dorëzojnë brenda datës 10 janar pranë Drejtorive Rajonale inventarin e datës 31 dhjetor 2016 në variantin analitik, ndërkohë që elektronikisht kjo duhet të bëhet nga sistemi “efilling” në rubrikën “Dokumentet e mia”. Në një shkresë të fundit të dërguar nga ana e Drejtorisë Rajonale të Tiranës, subjekteve u kërkohet që të respektojnë afatet në mënyrë që të mos hasin penalizime të tjera që sanksionohen në ligjin “Për procedurat tatimore”.

Në shkresën e Tatimeve thuhet se: “Mosdhënia e informacionit të kërkuar nga administrata tatimore brenda afatit, dënohet me gjobë sipas nenit 126 të ligjit 9920 ‘Për procedurat tatimore’, i ndryshuar”. Kjo do të thotë që, çdo biznes që nuk respekton kërkesën, do të gjobitet në masën 10 deri në 50 mijë lekë. Nga ana tjetër, Tatimet paralajmërojnë se, përveç gjobës, procedura e radhës që do të pasojë refuzimin e dhënies së informacionit do të jetë ajo e verifikimit në vend nga ana e administratës tatimore të Drejtorisë Rajonale në Tiranë.

SHKRESA
Dega Rajonale e Tatimeve të Tiranës ka njoftuar bizneset se deri më datë 10 janar 2017 duhet të dorëzojnë inventarin analitik të datës 31.12.2016. Në një njoftim të dërguar të gjithë tatimpaguesve, thuhet se informacioni në lidhje me inventarin do të jetë prezent më 31 dhjetor dhe më datë 1 janar do të ngarkohet elektronikisht në “e-filling”, në rubrikën “Dokumentet e mia”. “Ky informacion duhet të depozitohet pranë drejtorisë sonë brenda datës 10.01.2017 në formë shkresore si dhe të ngarkohet elektronikisht në sistemin e Tatimeve ‘e-filling’, në rubrikën ‘Dokumentet e mia’”, thuhet në njoftimin e Tatimeve.

Njoftimi që ka firmën e drejtorit rajonal, Stefanaq Kote, cilëson se, nëse të dhënat nuk dorëzohen në afatin e kërkuar, atëherë tatimpaguesit do të penalizohen me gjobë sipas nenit 126 të parashikuar në ligjin e procedurës tatimore. Tatimet i kanë lajmëruar bizneset se, në rast të mosrespektimit të afatit për dorëzimin e inventarit, përveç gjobës do të jenë objekt i verifikimit nga administrata tatimore e DRT Tiranë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, më herët gjatë këtij viti është pozicionuar në kontrolle me fokus inventarët, në kuadër të fazës së dytë të aksionit anti-infor malitet.

Gjatë këtij viti, kontrolli i bizneseve me bazë inventarin do të bëhet me bazë risku. Tashmë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka analizuar bizneset që kanë informalitetin më të lartë dhe mbi këtë përzgjedhje do të bëhet edhe verifikimi i bizneseve në lidhje me inventarët. Fillimisht bizneseve iu la një hapësirë vetëkorrigjimi, por në shumë raste procedura nuk funksionoi, pasi shumë biznese janë gjobitur pa të drejtë nga Tatimet në momentin kur kanë deklaruar vetëkorrigjimin. Raste të tilla janë njoftuar edhe nga raportet-rutinë të Avokatit të Tatimpaguesve.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: