Ish-presidenti i vendit Ilir Meta, i ftuar në “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa ka folur për hetimet e SPAK lidhur me çështjen e inceneratorëve si dhe fletë-arrestim për ish-zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj.
Sipas Metës largimi i këtij të fundit i shton përgjegjësitë, ndërsa tha se Ahmetaj nuk ka vepruar i vetëm, por çdo gjë e ka bërë në dijeni të plotë të Edi Ramës dhe se tani është ndjerë i tradhtuar dhe i pambrojtur.
Lidhur me reagimin e bërë nga Ahmetaj pas kërkesës së SPAK për ta arrestuar, ai u shpreh se ish-zv. kryeministri duhet të provojë se kush e kërcënon.
Pjesë nga intervista:
PL ka denoncuar e para aferën e inceneratorëve, ndërsa SPAK duket se ka nisur të vërtetojë hap pas hapi, jeni të kënaqur me ecurinë e hetimeve?
Duhet të përsëris një thënie të hershme timen, ‘ndërsa hetimet vazhdojnë me hapin e breshkës, korrupsioni dhe grabitja e taksapaguesve vazhdon me shpejtësinë e kangurit’. Ndërkohë që kemi disa persona që janë ndaluar, arrestuar apo shpallur në kërkim siç është rasti i fundit i arratisjes së zv. Kryeministrit, por afera vazhdon. Kjo do të thotë që paratë vazhdojnë dhe grabiten.
Si e patë ikjen nga hetimi të Ahmetajt?
Fakti që ne kemi sot figurën kryesore të 10 viteve në qeverinë e Edi Ramës, Ahmetajn, të arratisur, jo vetëm kaq por dhe që ndihet i kërcënuar sipas deklaratave të tij, është shumë i rëndë për vetë qeverinë dhe Edi Ramën. Nuk kemi të bëjmë me një figurë rastësore apo pa peshë në vendimmarrje, por me nr 2 real të 10 viteve të qeverisë së PS, i cili ka qenë përmbaruesi i të gjitha porosive të Ramës. I ishte deleguar pushtetin, një pjesë të madhe të kompetencave të Ministrisë së Financave, i ishte besuar Ahmetajt.
Ky është një akt i dënueshëm, vetë arratisja e një politikani. Mbetet për t’u parë në të ardhmen nëse ka bazueshmëri deklarimi i tij se po ikën se është i kërcënuar, dhe nga kush… Por në vlerësimin tim kjo është e pajustifikuar dhe rëndon me përgjegjësi Edi Ramën. Sa i takon çështjeve të tjera, Ahmetaj kudo që është duhet të përgjigjet për gjithë akuzat që pretendohet nga organi i akuzës. Kryeministri nuk dinte gjë?
Nuk e ka dëgjuar akoma ai që nuk ka incenerator në Tiranë? Nuk e di ai që drejtori i agjencisë së prokurimeve në kryeministrisë ia ka dhënë me firmë e vulë atij dhe Ëngjëll Agaçit, që procedurat për aferën e inceneratorëve, ishin të paligjshme? Ia ka dhënë me shkrim personi i tij. Dhe përsëri ato vendime të paligjshme kanë hyrë në mbledhje të qeverisë dhe pse janë kundërshtuar nga ish-ministri i Financave në atë kohë. Është shumë e qartë që kjo aferë udhëhiqet dhe garantohet nga Rama. Me këtë aferë janë blerë zgjedhjet në 2017, 2021, zgjedhjet lokale dhe financohen edhe shumë media që përpiqen të devijojnë thelbin e hetimeve, që kjo është aferë që vazhdon.
Reagimi i Ahmetajt… A kishte mllef për kolegët e tij?
Nuk e di dhe kjo për mua nuk është e rëndësishme. Ajo që duhet se është e vërtetë dhe që unë e besoj, duke ditur dhe si funksionon Rama, është që Ahmetaj në të gjitha vendimmarrjet e tij shumë të rëndësishme, ai mesa duket ka marrë një garanci…
Është e qatë që dhe nga një pjesë e hetimit për inceneratorin e Tiranës, ai ka kundërshtuar fillimisht dhe pasi ka kërkuar t’i jepet garanci se kush e financon, dhe ka ardhur një shkresë në emër të bashkisë i ka hapur rrugë. Është e qartë që ky nuk është se nuk ka qenë i ndërgjegjshëm për pasojat, por ka marrë garanci të plotë. Tani ka ardhur në një moment që ndihet i tradhtuar dhe i pambrojtur, i shitur sepse garancitë kanë qenë të tilla që ‘ec përpara se je i mbrojtur’. Kjo nuk e lehtëson nga përgjegjësitë, por kjo mund të jetë një bazë për kërcënimet që ka marrë, por duhet t’i provojë që nëse flet për shokët pasojat do jenë shumë më të rënda për të dhe rrethin e tij.
BalkanWeb