Kosova që të shtunën feston 10-vjetorin e pavarësisë, ka një flamur që pak kush e respekton, ka katër kode ndërkombëtare telefonike dhe një heroinë të xhudos, sipas AFP.

Më poshtë mund të lexoni pesë gjëra për shtetin më të ri në Evropë:

“Peshqiri” si flamur
Flamuri i Kosovës ka formën e territorit të saj, me gjashtë yje me ngjyrë të verdhë, për gjashtë kryesore etnike, me një sfond me ngjyrë të kaltër.

Flamuri vazhdimisht përqeshet duke u quajtur si peshqir nga shumica e shqiptarëve, që besojnë se është adoptuar kryesisht për të kënaqur padronët perëndimorë, shkruan “telegrafi”.

Flamuri që valëvitet në gjithë territorin e Kosovës është ai i Shqipërisë fqinje, shqiponja e zezë dykrenare me një sfond me ngjyrë të kuqe.

Flamuri amerikan me vija dhe yje gjithashtu është shumë prezent, duke ia shfaqur haptazi Washingtonit përkrahjen që i ka dhënë Kosovës për t’u pavarësuar nga Serbia.

Ndërsa në zonat që banohen kryesisht nga serbët në Kosovë, “peshqiri” rrallëkund shihet dhe në vend të tij dominon ai i Serbisë.

Katër kode telefonike
Për shkak se Serbia kundërshton pavarësinë, ekzistojnë tre kode telefonike të telefonisë mobile që shfrytëzohen në Kosovë: Ai i Serbisë +381, i Monakos +377 dhe i Sllovenisë +386.

Kosovës i është dhënë së fundmi kodi telefonik +383 pasi arriti marrëveshje me Beogradin. Ky kod tashmë ka filluar të përdoret në aplikacionin e popullarizuar Viber, dhe shumë shpejt pritet të jetë plotësisht funksional.

Ikona e xhudos
Kosova ka mposhtur vëllanë e saj të madh, Shqipërinë, në lojërat Olimpike që u mbajtën gjatë vitit 2016 në Rio të Brazilit, ku heroina e kombit Majlinda Kelmendi arriti të fitojë medaljen e artë.

Kosova po e përdor sportin si “vegël” diplomatike, pasi u pranua në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik në vitin 2014 edhe pse kishte shumë kundërshtime nga Serbia.

Me krenari të madhe, Kosova gjatë javës së kaluar e prezantoi skiatorin e vetëm Albin Tahiri, në paradën e hapjes së lojërave Olimpike dimërore në Pyeongchang të Koresë së Jugut.

Diaspora e fuqishme
Kosova është shtëpia e rreth 1.8 milion banorëve, por 700 mijë shqiptarë të Kosovës vlerësohet se jetojnë jashtë kufijve, kryesisht në Gjermani dhe Zvicër.

Diaspora, që ka edhe ministrinë e saj, i dërgoi në Kosovë gjatë 10 muajve të vitit 2017 rreth 620 milionë euro, duke u bërë kështu kontribuesi më i madh në funksionimin e shtetit, së bashku me ndihmat ndërkombëtare.

Katedralja e mirënjohjes
Afro 95 për qind e shqiptarëve të Kosovës i përkasin besimit Islam, por njëra nga katedralet më të mëdha katolike në Ballkan gjendet në qendrën e qytetit të Prishtinës.

Katedralja që i dedikohet Nënës Terezë, me prejardhje shqiptare, është simbol i mirënjohjes ndaj Perëndimit për përkrahjen që i kanë dhënë vendit për pavarësi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb