Përshkallëzimi i luftimeve, gjatë muajit të kaluar, në provincën Idlib të Sirisë ka lënë të vrarë 948 njerëz, gati një e treta e tyre civilë, tha të premten një grup që monitoron luftën.


Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut tha se 288 civilë, përfshirë 67 fëmijë, janë vrarë që nga 30 prilli nga forcat siriane dhe ruse.


Në shtator të vitit të kaluar është arritur një marrëveshje, me qëllim të shmangies së një ofensive të plotë nga regjimi sirian në provincën Idlib dhe zonat pranë, që kontrollohen nga ish-dega e Al Kaidës në Siri, Hayat Tahrir al-Sham.


Por, regjimi i presidentit Bashar al-Assad dhe aleatja e tij, Rusia, i kanë intensifikuar sulmet ajrore në bastionin militant qysh në fund të prillit dhe agjencitë e ndihmës janë detyruar të ndalojnë punën në disa zona.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të premten se militantët dhe rebelët aleatë duhet t’i ndalojnë sulmet në zonat e mbajtura nga regjimi.

“Armëpushimi në Idlib është i nevojshëm dhe është gjithashtu e nevojshme që terroristët t’i ndalojnë të shtënat në objektivat civile, si dhe në disa objekte ku trupat tona janë të vendosura – përfshirë Hmeimimin”, tha Peskov, duke iu referuar bazës ajrore ruse në perëndim të Idlibit.

Lufta civile në Siri ka nisur në vitin 2011. Afro 400,000 njerëz janë vrarë në luftime, ndërsa miliona të tjerë janë zhvendosur.

Etiketa: