Gjykata e Apelit në Tiranë lë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për ish-kryebashkiakun e Vorë, Agim Kajmaku. Vendimi është marrë sot nga Gjykata e Apelit e cila shqyrtoi kërkesën e Agim Kajmakut i cili apeloi vendimin e shkallës së parë të gjyqësorit.


Më 12 nëntor Gjykata e Tiranës vendosi arrest në burg në mungesë për ish-kreun e Bashkisë Vorë, një ditë pasi më parë prokuroria lëshoi urdhër arrestin për të.


Kajmaku i zgjedhur kryetar i Bashkisë Vorë më 30 qershor, u shkarkua nga KQZ më 1 nëntor pasi shkeli ligjin e dekriminalizimit duke mos deklaruar një dënim në Greqi.


Prokuroria nisi hetimet për të dhe e akuzon për disa vepra penale si “Shpërdorim detyre”, sipas nenit 248 te Kodit Penal, “Falsifikimi i formularëve”, neni 190 i Kodit Penal, dhe “Ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”, neni 249 i Kodit Penal.

Kryebashkiaku Kajmaku u akuzua nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit. Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person.

Fillimisht, ai i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb