Nga Berati, Agron Shehaj u shpreh se Partia Mundësia ndryshon nga të gjitha partitë e tjera, të cilat u ofrojnë qytetarëve të njëjtin program, pasi nuk e dinë se çfarë është puna sepse nuk kanë punuar asnjëherë.

Shehaj tha se Mundësia” është e vetmja forcë politike me një vizion tjetër, që në program ka t’u marrë më pak para qytetarëve dhe sipërmarrësve, me këta të fundit që do të kenë më shumë mundësi të rrisin biznesin dhe të shtojnë punësimin, duke rritur edhe ekonominë e vendit.

Sipas tij, nga shpenzimet e administratës mund të kursehen 1 miliard euro, të cilat do të shërbejnë për të ulur taksat dhe për të lënë më shumë para’ në xhepat e qytetarëve.

Pjesë nga fjala e Shehaj:

Të gjithë atyre që thonë se ne nuk kemi për t’ia dalë, ne ju themi: Ju vazhdoni, se ne nuk dorëzohemi. Alternativat e tjera u premtojnë shqiptarëve se kur të vijnë në pushtet, do marrin taksat e shqiptarëve dhe do i kthejnë në shërbime.

8.2 miliardë janë, dhe pastaj me një administrate të fryrë, nëpërmjet korrupsionit dhe oligarkëve, ato 8.2 miliardë kthehen në një arsim skandaloz, në një shëndetësi që vetëm falas nuk është dhe shërbime shumë pak cilësore.

Këtë ofrojnë të gjitha partitë e tjera, si të vjetrat e të rejat. Janë njerëz që nuk e dinë se çfarë është puna, nuk ka punuar ndonjëherë. Ata mendojnë se 100 milionë euro është një shifër, nuk dinë se çfarë do të thotë.

Ne jemi të vetmit që e dimë se çfarë do të thotë të nxjerrësh paratë që duhen për të paguar rrogat e taksat. Dhe pikërisht pse jemi të vetmit, vizioni ynë është ndryshe nga të tjerët. Ne themi që qytetarët shqiptarë janë më të aftë e më të zotë për familjet e tyre. Ne themi që duhet t’iu marrim më pak para’ sipërmarrësve, sepse ato para’ i investojnë dhe shtojnë punësimin e rrogat, duke rritur ekonominë.

Ne jemi të vetmit që themi që nga ato 8.2 miliard euro, mund të kursejmë 1 miliard, duke ua lënë qytetarëve në xhepat e tyre. Nuk ka mënyrë më të mirë për të ndihmuar qytetarët se sa t’ua lësh paratë në xhepat e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb