Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj në fjalën e tij për mediat pasi u largua nga seanca plenare ku nuk u zhvillua interpelanca e thirrur me ministren e Kulturës dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, u shpreh se mosbindja civile nuk mjafton më.

Ai kërkoi nga opozita që të fokusohet te rikthimi i besimit të saj te qytetarët. Shehaj tha se veprimet e deritanishme nuk kanë rritur mbështetjen, ndërsa shtoi se në Parlament duhet të diskutohet duke denoncuar shkeljet dhe abuzimet dhe shpalosur alternativën në mënyrë që nesër vendi të ketë një qeveri të pakorruptuar.

Gjithashtu, Shehaj denoncoi veprimet e mazhorancës duke rrethuar Kuvendin me gardistë, por edhe arrestimin e deputetit të PD, Ervin Salianji, përpjekje këto sipas tij nga ana e shumicës parlamentare, për të frikësuar zërat kundër.

“Parlamenti është i vetmi vend ku mund të shprehemi. Unë mendoj që duhet një mënyrë tjetër, nuk mjafton mosbindja civile. Opozita është me shpatulla pas murit. Një përfaqësues i opozitës është në burg se tha një të vërtetë, tha vëllai i ministrit të Brendshëm i cili duhet të kapë ata që janë në kërkim nga Italia është i lirë dhe ministri duhet të kapë të vëllanë. Kjo gjë nuk shkon, për këtë arsye ai është në burg. Unë nuk ndaj të njëjtin mendim për formën e protestës së opozitës. Thjesht nuk mjafton.

Unë mendoj se ne nuk duhet të ndalojmë së komunikuari, së foluri me elektoratin. Opozita duhet të fitojë besueshmërinë e qytetarëve. Duhet të vrasim mendjen, kjo që po bëjmë a na sjell mbështetjen e qytetarëve? Po apo jo? Çdo veprim që bëjmë dhe disa veprime që janë bërë nuk na çojnë në atë drejtim. Opinioni publik duhet të dëgjojë për korrupsionin, ne duhet të vazhdojmë, duhet të ngulim këmbë se kështu fitojmë besueshmërinë që nesër do t’i sjellim vendit një qeveri të pakorruptuar. Nuk ka zgjidhje tjetër.

Në një demokraci zgjidhje është vota e qytetarëve. Dhe lufta e opozitës duhet të jetë si të fitojë besimin e qytetarëve, votën e qytetarëve. Këtë bën opozita. Kështu funksionon një demokraci. Kushtet në të cilat veprojmë janë jashtëzakonisht të vështira. Frika është elementi i ri i shtuar nga mazhoranca dhe Rama. Këto shfaqje në Parlament, të rrethuar nga Garda kanë këtë synim, frikën, të trembin njerëzit. Sot kam folur me një qytetar që pati kurajon të denonconte live se si djali i tij vdiq se si iu ndërpre kura me ilacce. Unë fola me të dhe i kërkova të vazhdojë këtë betejë, por ajo që kërkova ishte se zotëria ishte i ndrojtur, kishte frikë. Kjo po ndodh në Shqipëri, paratë dhe frika janë instrumentet e kësaj mazhorancë. Problemi në çdo demokraci është mazhoranca, qeveria, jo opozita”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb