Është shkrimtar, pedagog dhe prindër i 5 fëmijëve të mrekullueshëm. Agron Tufa, ky fëmijë ëndërrimtar i përjetshëm, siç thotë dhe vetë, i burrëruar mes zhgënjimesh, vjen tek shije.al në një tjetër profil: Nuk është as shkrimtar, as prind e as profesori i qindra e qindra studentëve. Është të gjitha bashkë, në një ditë turravrap e cila mbyllet në darkë, rreth tavolinës së madhe ku gjithësecili ka diçka për të treguar…

Profesor si po ushqeheni më së shumti këto kohë?
Po mundohem të evitoj ushqimet e rënda, por pa shumë sukses. Regjimi im i punës nuk të lë shumë zgjedhje. Nëse i përmbledh disi, drekat dhe darkat janë me supa perimesh, sallatë ose gjellë më mish. Jufka me kofsha pule, dhe… gjithë frikë, ndonjëherë si më të shpeshtë, fasule, që i kam dobësi. Vazhdimisht ka byrekë të ndryshëm dhe tava. Gatuan shpesh ime vjehërr dhe Elvana. Tundimi është i madh, çka shpjegon fundin e vajtueshëm të çdo iniciative për dietë.

Po shpirtërisht?
Me të vjetrën: lexime librash artistikë, poezi, filma të fundit apo klasikë (kur më të rrallë gjejmë kohë me time shoqe), lojra me fëmijët ose shëtitje me ta dhe gjithnjë, gjithnjë, futboll, që është pika ime e dobët. Në shtëpinë tonë dëgjohet shumë muzikë.

Cila është pjata juaj e preferuar?
Tava tradicionale dibrane me jufka të lëngshme dhe kofsha pule, të cilat i qan si vjehrra, si ime shoqe. E preferuar është dhe supa e peshkut, por kjo nuk është e shpeshtë. Unë nuk e vras mendjen shumë për ushqimin. Ha me një oreks konstant prej ushtari. Kam fatin e mirë se në shtëpinë tonë gatuhet gjatë gjithë ditës.

Po gatimi i fundit që keni përgatitur vetë?
Me atë protagonizëm kulinar që kam në shtëpi, zor se më lënë hise të përzihem dhe unë. Jo, nuk mbaj mend të kem pasë rast, përveç ndonjë veze të zier në mëngjes, apo ndonjë omëlete me salsiçe. Rrallë. Ama, gjithnjë përgatis çajëra të ndryshme me mjaltë dhe kafen ritualore për vete dhe Elvanën.

Si është një ditë e zakonshme e Agron Tufës?
Nuk do t’ia dëshiroja ndokujt, se të thyen në mes! Epo mirë, po provoj ta them: në orën 7.00 duhet të jem i veshur, në 7.30 duhet të jem jashtë me tre prej kalamajve duke nxituar drejt furrës ku blejmë ushqimin për të tre, mandej, në 7.50 – 8.00 duhet të jemi në shkollën “Pjetër Budi”, ku mësojnë ata. Kthehem në lagje, pijmë një kafe të shpejtë me time shoqe, që ka arritur të çojë në çerdhe dy të vegjlit. Pas kësaj kafeje, ndahemi secili në punët e ditës. Si fillim në Institutin ku punoj, ose në Universitet publik ose privat. Para dhe pasdite. Në pasditet kur nuk kam leksione, kthehem në shtëpi dhe merremi me fëmijët: detyrat, ndonjëherë shëtitje apo në ndonjë aktivitet, mandej përgatitjet për nesër, darka, vënia e mundimshme në gjumë (pjesë ekskluzive e Elvanës, ku protagonizmi im vjen e zbehet). Gjithë punët e grumbulluara për ditën e nesërme, ose krijimtaria letrare, studimore apo përkthyese vazhdon pas gjumit të fëmijëve. Ndonjëherë, thjesht shoh futboll ose ndonjë film, ose thjesht lexoj me shënime. Si të vijë.

Për çfarë flet libri juaj i fundit “Gurit të varrit ia rrëfej”?
Romani flet për botën depresive të atyre femrave, të cilat patën mallkimin të lindnin të bukura gjatë diktaturës komuniste dhe se si kjo bukuri u bë shenjë e gjuetisë së tyre nga maniakët e Sigurimit apo të njerëzve të veshur me pushtet partiak. Është një roman për nervafortët. Romani flet edhe për brezin tim të pasnëntëdhjetës, për djem e vajza të talentuar e plot iluzione për lirinë dhe jetën pas rënies së diktaturës, por që shumë shpejt u zhgënjyen ngase cilësia e kësaj lirie u helmua nga dhuna, urrejtja, korrupsioni e manipulimi politik. Fatazmat e diktaturës u ringjallën në kushte të reja me tërë pushtetin që kishin pasur dikur.

A po shkruani ndërkohë?
Shkruaj gjithnjë ngapak. Më shumë po grumbulloj dhe ëndërroj të kem kohë, të gjej momentin, që s’vjen e nuk dihet kur do të vijë. Shkruaj ndonjë gjë të shkurtër, poezi, cipa tregimesh, por në mendje kam një roman të ri që e kam filluar që vitin e kaluar.

A keni një histori të cilën ju nuk do të lodheshit kurrë së treguari?

Po. Kjo është historia e fëmijës së përjetshëm ëndërrimtar, që pret të burrnohet, dhe burrnohet, përmes zhgënjimesh të hidhura.

Me çfarë mendoni se duhet të ushqehen të rinjtë e sotëm?
Me punë, me punë të palodhur studimore, por dhe vetëformuese (autodidakte), të zbulojnë heroin e tyre të brendshëm, të dinë çfarë duan, kush duan të jenë. Secili e ka një hero, të cilit dëshiron t’i ngjajë. Le të pëpiqen të bëhen Ai hero.

Keni një familje të madhe (5 fëmijë), një karrierë mjaft impenjative, shkruani etj. Cili është sekreti për të ruajtur ekuilibrat dhe frymëzimin?
Është vetë familja e madhe që nuk të lë të përgjumesh në limonti, të dembelosesh. Çdo ditë është një betejë simbolike, të cilën ti duhet ta zbusësh, duke e kthyer në betejë argëtuese, me sa të mundesh. Ndryshe është shumë e vështirë. Kjo bëhet duke mbështetur njëri-tjetrin si prindër, por, sidomos, duke i përfshirë edhe fëmijët në një skuadër. Thjesht duhet përjetuar së bashku gjithçka, që fitorja ose humbja e njërit, është fitore ose humbje e të gjithëve. E di se kjo është vështirë të arrihet gjithnjë, por mbetet gjithnjë synimi i vazhdueshëm për ekuilibrin e duhur.

Për një prind, cili është mundimi dhe gëzimi më i madh rreth tavolinës?
Tani për tani bilanci mbetet po i njëjti: të ulet gjithësecili pranë tavolinës me detyrime të përmbushura. Fëmijët duhet ta ndjejnë dhe përjetojnë përgjegjësinë që u takon. Përpiqemi që ky moment të na gjejë të lehtësuar secilin veç e veç e të gjithë së bashku. (Shije)

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: