Agustin Kola nuk sheh komplot ndaj Tiranës. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ishlegjenda e bardhebluve ka analizuar situatën e 24 herë kampionëve.

Duke marrë në konsideratë fjalët e trajnerit Ardian Mema, i cili sheh komplote, Kola thotë se këtë sezon ndaj Tiranës nuk ka një prapaskenë. Agustini pohon se trajneri dhe lojtarët nuk duhet të qahen, por të fitojnë në fushën e lojës. Kola pohoi se vetëm duke luajtur në maksimum, Tirana do të marrë më shumë se qëndrimin në kategori. Sa për rënien, Kola është i bindur se Tirana historikisht i ka pasur kundër të gjithë, por historia nuk ka për t’u përsëritur.

A ka komplot ndaj Tiranës, duke pasur parasysh që trajneri Mema është ankuar dhe ndeshjet e tjera shkuan në favor të ekipeve të poshtme?

Komplot ndaj Tiranës? Nuk i takon trajnerit të flasë. Më shumë po flasin trajnerët sesa presidentët. E kam thënë edhe herë tjetër, që futbolli këtu te ne, që nga Partizani deri tek ekipi i fundit, është i njëjtë. Që prej largimit të Skënderbeut nuk ka më ekipe superiore që bëjnë diferencën. E keni parë vetë se çfarë futbolli treguan në fushë. Kjo është gjendja e skuadrave shqiptare. Nuk i dihet. Nëse Luftëtari vazhdon me këtë lojë dhe këto rezultate, i bie që do të dalë kampion. Që nga i pari deri tek i fundit nuk i dihet. Për Tiranën nuk ka komplot. Kjo është e sigurt.

Tirana ankohet, por në fushë ajo ka humbur pa fund raste penalltish. Po ankohen më shumë seç duhet…

Kur trajneri gjatë javës bën gati ekipin dhe do të luajë ai apo ky mos e kërko te vetja. Skuadra që kur erdhi Mema ka pasur ngritje dhe luajnë futboll. Por kur ndërton gjithë javës dhe pastaj ndryshon, këtë përgjegjësi ta mbajë trajneri. Nuk ka faj as presidenti, as dreqi. Ndonjëherë ne fshihemi pas këtyre gjërave. Unë jam trajner, unë jam në fushë, unë i kam të mirat dhe të këqijat. Dhe kjo lidhet me faktin që kur jemi trajnerë, nuk flasim, por kur ikim, ankohemi që e ka fajin presidenti apo tjetri. A je ti komandanti, a gabove në fushë? Mbaje përgjegjësinë.

Tiranës ia kanë ngrënë hakun gjyqtarët?

Gjyqtari atë punë ka. Tirana gjithmonë ka luajtur kundër 13 vetave. Ekipi përgatitet për këtë lloj situate. Ta marrësh në veçanti, Tiranës i janë dhënë penallti, kartonë të kuq, nuk shoh tendencë. Këta trajnerë që justifikohen dhe këtu e kam me të gjithë, jo me Memën që është ndoshta njeriu më i sinqertë në futboll, duhet të marrin përgjegjësi.

Ama Tirana ka të paktën pesë vite që luan për mbijetesë. Ka gabuar jashtë fushe?

Ne shqiptarët kemi ca të këqija dhe e kërkojmë fajin diku tjetër. Unë jam kryefamiljari në shtëpinë time. Nëse gjërat në shtëpinë time shkojnë keq, atëherë fajin nuk ma ka komshiu. Nuk mund t’i vësh faj dikujt tjetër… Të të mundë Flamurtari nuk është turp, pasi janë ekipe tradite.

Rrezikon Tirana të bjerë nga kategoria?

Jo, jo. Nuk ka asgjë të vërtetë edhe me komplotin që është larg. Ka ekip të mirë dhe për këtë them që nuk rrezikon. Shikoni pak Flamurtarin. Luan pa para dhe fiton. Në një vend që paguhesh dhe presidenti është korrekt, stafi dhe lojtarët duhet të jenë më superkorrektë. Ne trajnerët duhet ta kërkojmë te vetja, pasi e thashë, Tiranën nuk e kanë dëmtuar arbitrat. Ta gjejnë mes tyre, ndërsa këta që marrin rrogat, ku e kanë problemin. S’e ka fajin askush…

Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb