Trajneri i Luftëtarit, Julian Ahmataj, komplimenton rivalin pas ndeshjes së barazuar 0-0 me Tiranën në Kupën e Shqipërisë, ndërsa për “Supersport” theksoi se Luftëtari do të provojë të kualifikohet në sfidën e dytë në kryeqytet.

Vetëm barazim në ndeshjen e parë…

Në Kupë luhen të dyja ndeshjet, dhe atje luhen. E përgëzoj Memën për Tiranën, sepse sot na bllokoi manovrën sulmuese. Ishte e kujdesshme nga të dyja ekipet ndeshja. Të dyja skuadrat u sollën shumë mirë taktikisht në fushë. Tani do provojmë kualifikimin në Tiranë.

Penalltia e kërkuar në duelin Hoxhallari-Ymeraj…

Nuk e komentoj rastin, sepse nuk do komentoj arbitrat në asnjë moment.

Sa penalizuese ishte mungesa e Dungës?

Lojtarët kanë specifika të ndryshme, disa më agresivë, disa më të shpejtë. Mungesa e një lojtari si Dunga, ndihet, pasi bën shumë mirë punën që bën në skuadër.

Kjo situatë ka krijuar një varësi ndaj një individi si Dunga?

Ne kemi shënuar në çdo ndeshje që kemi luajtur. Vetëm një ndeshje me Kukësin, dhe e dyta ishte sot. Dunga ka bërë vetëm 5 gola. Shpërndarja e golave ka qenë e mirë. Kanë shënuar dhe mbrojtësit, mesfushorët e krahut. Kjo nuk është varësi, por të rrit kualitetin në sulm. Sot luajti mirë edhe Oshafi, është vetëm 19-vjeç. Kemi dy maja të mira në sulm, dhe shpresojmë të rikuperojmë sa më shumë nga dëmtimet.

Çfarë keni ju si skuadër më shumë?

Tirana ka një skuadër shumë të mirë, si edhe Kastrioti, që i kam lavdëruar. Por, ne kemi detyrën me skuadrën tonë, që të jemi të kujdesshëm në çdo situatë. Futbolli është kapriçoz, të ndëshkon kur nuk e ke mendjen. Po ta shihni, skuadrat e kanë të vështirë të na shënojnë, pasi bëjnë mirë ato që i them unë. Ato kanë sakrifikuar shumë, deri në jetën e tyre të përditshme, për të bërë sa më mirë detyrat në fushë.

Nga ndryshon Luftëtari i këtij sezoni, nga Kamza vjet? Ishte më e vështirë vjet me Kamzën, apo me Luftëtarin?

Duke parë që vjet isha një trajner i ri te Kamza, edhe lojtarët e ndjejnë këtë mosbesim, dhe janë më të rezervuar në ato që unë them. Te Luftëtari, e kam thënë që në daljet e para, kam gjetur një skuadër më inteligjente, dhe në pak kohë kanë kapur ato që kam thënë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb