Trajneri i Luftëtarit, Julian Ahmataj, ul euforinë në kampin gjirokastrit pas kualifikimit në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë për herë të parë pas 37 vjetësh. Bluzinjtë eliminuan ekipin më të fortë të këtij sezoni, Partizanin, i cili kryeson kampionatin. Për “Supersport”, Ahmataj u shpreh se pavarësisht suksesit në Kupë, objektiv mbetet qëndrimi në superiore.

Mendon se skuadra mund ta tentojë mrekullinë në Kupë?
Kur kam ardhur, Kupa nuk ka qenë farë në horizont. Skuadra do jetë në maksimum vetëm në fund të kampionatit. Objektivi është qëndrimi në kategori. Unë mendoj që duhet të rishikohet kalendari i ngjeshur. Është një torturë të luash 5 ndeshje në 2 javë. Do shikojmë në vazhdim.

Keni fituar 2 herë ndaj Partizanit. Sa herë do fitoni ndaj Partizanit?
Në një rezultat pozitiv nuk të çon inercia. Jam munduar ta largoj nga skuadra mentalitetin që meqë kemi fituar 2 ndeshjet e para të fitojmë edhe tjetër.

37 vite pa shkuar në gjysmëfinale Luftëtari. Çfarë ndeshje prisni të shtunën në kampionat?
Partizani është drejt rrugës së titullit. Ka diferencë dhe lirshmëri në lojën e vetë. Ne nuk i shikojmë kundërshtarët në këtë prizëm. I shikojmë për të gjetur pikat e dobëta dhe mundësitë për të shkuar te goli. Ndeshja e kampionatit do jetë tjetër ndeshje, e luajtur ndryshe nga të dyja skuadrat.

E këshilluat ekipin për të ruajtur forcat?
Skuadra ka lojtarë që kanë gjenetik sulmin. Nuk i frenon dot. Unë kam qenë gjithë kohës në këmbë duke i orientuar. Lojtarët duan kohë të fitojnë eksperiencë dhe harxhonin energji pafund. Nuk kam luajtur në situata siç është Luftëtari sot. Ka pasur momente kur i kam ruajtur energjitë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb