ELBASAN- Integrimi i Tregtisë dhe Bujqësisë për vitet 2014-2020 ka qenë tema e një konference mbajtur në qytetin e Elbasanit, në të cilin u diskutuan planet afatgjata dhe afatshkurta për zhvillimin e këtyre sektorëve të cilësuar si sektorët primarë për ekonominë shqiptare. I pranishëm në këtë aktivitet, Ministri i Zhvillimit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj
komentoi edhe thirrjen e PD-së për fikjen e automjeteve në shenjë proteste për çmimin e karburanteve. “Nafta u ul nga 195 në 155 lekë, gati e barabartë me çmimin botëror. Por shqiptarët e dinë vetë se kur t’i fikin dhe ndezin makinat. Ne premtuam se çmimi nuk do të rritej, ndaj shumë shpejt do të krijojmë një paketë për monitorimin e naftës”, tha Ahmetaj.

Ai theskoi se qeveria shqiptare është duke përfunduar draft-strategjinë për zhvillimin e tregtisë dhe bujqësisë për vitet 2014- 2020. “Kur flasim për model të ri ekonomik, fokusi është tek rritja e prodhimit vendas dhe rritja e eksporteve, duke i kaluar efektet e kësaj rritjeje tek qytetari shqiptar, sidomos tek punësimi”, tha Ahmetaj.

Duke u ndalur tek arritjet ai tha se “për dy vitet në vijim, Shqipëria do të kapë vetëm investime të huaja mbi 1 miliardë dollarë çka është rekord për 20 vitet e fundit”.
“Në reformat tona nuk jemi duke u përpjekur për strategji afatshkurtra por strategji që kalojnë edhe vitin 2020. Me kënaqësi dua t’ju them se deri në fund të vitit 2014 likuiduam 340 milionë dollarë borxhe. Brenda tre viteve do të paguajmë të gjithë borxhin ndaj sipërmarrjes për shërbimet publike. Borxhi që gjetëm ishte i paimagjinueshëm dhe i palogjikshëm”, tha Ahmetaj.

Pikat më kryesore ku është ndalur Ministri Ahmetaj kanë qenë nxitja e biznesit, mbrojtja e konsumatorit si edhe mbikëqyrja e tregut. Sipas Ahmetaj, “ fokusi ynë është tek rritja e tregtimit vendas si dhe tek eksporti, pasi rritet punësimi. Ndërkohë që ka një rritje të fluksit të investimeve të huaja në vend.
Gjithashtu, ministri i Ekonomisë parashtroi edhe disa nga objektivat e dikasterit që drejton, që sipas tij, synojnë zhvillimin e tregtisë. “Po punohet për bashkimin e QKR-së me QKL-në, si edhe do të ndërhyhet me paketa mbështetëse për turizmin dhe do të punohet për ndryshime serioze në ligjin e partneritetit publik- privat, ky i fundit një nga instrumentet kryesorë të zhvillimit ekonomik. Në gjashtë mujorin e parë do të kemi zonën e parë ekonomike me partner shumë të rëndësishëm”, tha Ahmetaj.

Ai theksoi gjithashtu se “objektivi ynë është që të kemi një rritje ekonomike për të mirën e qytetarëve, pasi sfida jonë është që të mos jemi të kënaqur me arritjet e 2014, dhe ta konsiderojmë 2015 –2016 një vit kthese që të kemi një rritje ekonomike mbi 4 për qind dhe jo 2.1 që kishim në vitin 2014”.

Në këtë konferencë ka marrë pjesë edhe Ministri i Bujqësisë, Sekretari Ekzekutiv i Komisionit Ekonomik për Europën në OKB, Kristian Bah, ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Filloreta Kodra, përfaqësues të bizneseve të ndryshme në qytet si edhe pushtetarë lokalë.

Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Filloreta Kodra tha se “ do të jem gjithmonë e angazhuar për forcimin e kontakteve mes Ministrisë së Ekonomisë dhe OKB-së, do të jem një lobuese e fortë për Shqipërinë”.
Ndërsa Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, duke folur për arritjet gjatë vitit 2014 tha ndër të tjera se një ndër masat më të rëndësishme ishte heqja e taksës së qarkullimit dhe naftës së karbonit për peshkatarët, ndërsa e vuri theksin tek reforma veterinare e cila sipas tij, “bën të mundur që shërbimi veterinar të jetë unik”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb