TIRANË- Rritja ekonomike në Shqipëri në vitin 2019 do të arrijë në 4.3%, që mendohet të jetë më e larta në rajon.

Kështu deklaroi sot ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, në konferencën vjetore “Politika monetare, integrimi ekonomik dhe Normaliteti i Ri”, ku është i pranishëm kryeministri Edi Rama, guvernatori i Bankës së Shipërisë Gent Sejko, etj.

“Ekonomia shqiptare rritet në nivelet 4%. Dikush thotë a mjafton. Ky është një debat që nuk ka për të mbaruar kurrë. 7% mbase nuk do të mjaftonte, 10% ndoshta për të konverguar sa më shpejt me nivelin e BE-së nuk do të mjaftonte por kur e krahason me 0.8% në 2013, pas rriskut të një kolapsi total, sigurisht që 4% është katër herë më shumë”, nënvizoi Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj theksoi se “rritja ekonomike është mbështetur në mënyrë të balancuar si tek konsumi i popullatës ashtu edhe tek investimet në ekonomi, shtimi i aktivitetit ekonomik ndryshe ndodhte në vitet para 2013 është më në fund shoqëruar me rritje punësimi.

Ministri tha se “sërish nuk do të ndalem asnjëherë së përsërituri se besoj se çështja e punësimit është çështja më rëndësishme e diskutimit mes qeverive dhe aktorëve të tjerë në ekonomi”.

“Shumë aspekte të realitetit ekonomik kanë ndryshuar pas viti 2008 qoftë nga pikëpamjet e infrastrukturës financiare apo të sjelljes së aktorëve ekonomikë si insitucionale ashtu edhe individëve”,shtoi ai.

Lidhur me investimet e huaja, Ahmetaj tha se “në vitin 2018 investimet e huaja direkte pritet të jenë në nivele të kënaqshme. Më besoni se të paktën në aspektin nominativ do të jenë shifra rekord. Nuk ishte e lehtë të vinim në këtë realitet të sotëm ekonomik.
Qeveria shqiptare ndërmori një sërë masash të guximshme dhe jo të lehta për të evituar situatën e vështirë ku ndodhej vendi në 2013”.

Ahmetaj tha se “efektet e krizës së 2008 u transmetuan në ekonomi të ndryshme përmes kanalesh të ndryshme. Shqipëria fatmirësisht nuk u përfshi në një recension klasik pas krizë së 2008, por degradimi i performancës së aktiviteteve ekonomik u shfaq vit pas vit duke kulmuar në gjendjen e viit 2013, 2012. Në 2012 kur Shqipëria konsiderohej në kulmin e varfërisë së vet. Dhe në 2013 kur situata e financave publike dhe ekonomike ishte në atë gjendje që edhe na surprizoi edhe nuk na surprizoi, kur skanuam realitetin”.

“Ne jemi sot patjetër në një realitet të ri, ekonomia shqiptare e ka lënë pas vitin e vështirë 2013 dhe pasojat që eventualisht do të shihnim dhe ndjenim të gjithë nga punonjësit publikë tek pensionistët, apo shtresat në nevojë, bizneset, bankat e kështu me radhë.
Faktikisht për shkak të përgjegjshmërisë së qeverisë dhe të gjithë aktorëve duke përfshirë edhe Bankën e Shqipërisë kriza greke u la pas tani, është kthyer në një përrallë të së kaluarës. Në 2012 nuk ishte aspak një përrallë, ishte një realitet i mundshëm”.

Ministri Ahmetaj tha se “përfitoj në çdo rast të tillë të përmend fjalët e Kryeministrit Rama në prezantimin e programit te qeverisë në shtator të 2013; “Përpara kemi një shkëmb, mbrapa kemi një gropë”. Që do të thotë që kishim vetëm një rrugë dhe atë rrugë tashmë ne, ju qytetarët e kanë parë e kanë provuar mes dhimbjesh reformash, suksesesh duke lënë gropën mbrapa dhe shkëmbin të dërrmuar”.

Duke përmendur reformat e kryera nga qeveria, Ahmetaj u shpreh se “u reformua sektori tërësisht energjetik, i cili ishte totalisht në kolpas, u ndërhy në reformën pensioneve duke e shndërruar skemën në një projeksion të qëndrueshëm, reforma administrative territoriale nga 374 njësi në 6 njësi, duket si aritmetikë e thjeshtë në fakt ka qenë një ushtrim politik dhe administrativ tejet i guximshëm dhe i vështirë, si dhe reformën në arsimin e lartë”.

Nuk mund të lë pa përmendur, vijoi ai, reformën e financave publike ku së bashku me FMN, Bankën Botërore, Komisionin, sot ne numërohemi në vendet me transparencë të kënaqëshme , të lartë në financat publike.

“Në bashkëpunim me BSH dhe ndihmën e partnerët ndërkombëtarë BB, fondi monetar , zhvilluam një reformë të gjerë të modernizimit të sistemit financiar në vend . Viti 2016 ka qenë një vit debatesh për sa i përket reformës në sistemin financiar. Gjatë mandatit të shkuar u rishikuan ligjet e autoritetit të mbikëqyrjes financiare , u shtua kapaciteti i agjencisë së sigurimit të depozitave , u miratua ligji për rimëkëmbjen për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka në Republikën e Shqipërisë, u ndërmor një strategji e plotë për uljen e nivelit të kredive me probleme, që kërkoi nga ndryshimi i kodit civile deri në ndryshimin e tarifave të shërbimit të përmbarimit”, bëri të ditur Ahmetaj.

Ministri tha se “sot kreditë me probleme kanë shkuar nga 24% në vitin 2014 në 13.3% në 2018 dhe vazhdojnë të ulen. Falë këtyre ndërhyrjeve nga më domethënëset në sistemin financiar shqiptar sot sistemi është shumë i sigurt dhe më i pajisur me mjete për të përballuar sitiuata të vështira”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb