TIRANE- Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, i bëri apel sistemit bankar në vend të rrisi kredidhënien për biznesin dhe sipërmarrjen si katalizatorë të zhvillimit ekonomik.


I pranishëm në ceremoninë e çeljes së degës së re të një banke të nivelit të dytë në Tiranë, ministri Ahmetaj tha se “eshtë momenti kur institucionet financiare në vend të zgjerojnë aktivitetin e tyre, por ky zgjerim do të duhet të reflektohet drejtpërsëdrejti në zgjerimin e kredidhënies si për konsumatorët ashtu edhe për biznesin”. Sipas tij, sistemi bankar në vendin tonë reflekton likujditet dhe është i mirëkapitalizuar, fakt që konfirmohet dhe nga zgjerimi i degëve të reja që po hapin bankat tregtare në rrethe të ndryshme të vendit dhe kryeqytet.


Në këtë aktivitet merrnin pjesë edhe ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ambasadori italian në Shqipëri, Massimo Gaiani, Presidenti i bankës italiane, Flavio Trinca etj. Ministri Veliaj duke vlerësuar rolin e bankave në rritjen e punësimit, tha se, sistemi bankar në Shqipëri është një shembull i rritjes së punësimit edhe në kushtet e krizës.


Ndërsa ambasadori Massimo Gaiani u shpreh se “eshtë shumë e rëndësishme që inaugurohet kjo seli e re bankare, si shembull që tregon edhe për rritjen e shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve. Bankat janë një faktor i rëndësishëm për mbështetjen e biznesit, sidomos për ata që vijnë nga Italia për të bërë biznes në Shqipëri”, u shpreh ai.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: