TIRANË

Kreu i komisionit parlamentar të ekonomisë Arben Ahmetaj ka komentuar në studion e Neës24 zhvillimet në vend dhe përgjigjen e Bundestagut për çështjen e negociatave. Ahmetaj tha se e priste vendimin e Bundestagut dhe kushtet e vendosura, por sipas tij ajo janë e mira e Shqipërisë.

Për ish-ministrin e Financave, kushtet janë për vendin dhe jo për kryeministrin Edi Rama.

“Patjetër që e prisnim vendimin e Bundestagut për të gjithë reformat që ka bërë qeveria dhe vendi për 6 vite dhe aq më tepër mbështetjen shumë të madhe të një grup vendesh të udhëhequr nga Gjermania. Kjo nuk vjen rastësisht vetëm nga dashuria, që patjetër ekziston por se Shqipëria është maturuar për të hapur negociatat. Maturuar me reformat e thella për përmirësimin e institucioneve. Patjetër që i prisja dhe kushtet. Po t’i shohësh kushtet nuk është dëshira e Bundestagut për të vënë disa kushte por janë e mira e Shqipërisë.
Një pjesë e mirë e reformës në drejtësi u vonua për shkak të mungesës së opozitës në parlament. Refuzimi i opozitës së atëhershme për të votuar ligjet e reformës në drejtësi më pas djegia e mandateve”, deklaroi Ahmetaj.

Sipas tij, miratimi i reformës zgjedhore është betejë e përbashkët e opozitës dhe pozitës.
“Kryeministri nuk ka thënë asnjëherë jo. Është ftuar opozita jashtë parlamentare të marrë vendet e veta në komisionin e reformës zgjedhore, të thotë fjalët e veta. Institucionalizohet debati nuk dilet përtej tryezës e prishet. Prioritet i prioriteteve për mua është reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore.
Ne si opozitë kemi hapur komplet mundësinë që opozita jashtë parlamentare të marrë pjesë në komision. Për hir të së vërtetës në anën tjetër ka mendje racionale për sa i përket reformës zgjedhore. Nuk po them se për të gjitha biem dakord por dialogohet e bashkëpunohet.
Dalja nga parlamenti e opozitës është shumë e trishtë. Sistemi ka nevojë për balancë. Prezenca e tyre e domosdoshme për institucionin. Bashkëqeverisja është që brenda të njëjtit sistem secili të ketë përgjegjësitë dhe t’i ushtrojë. Opozita ka përgjegjësinë të mbajë ‘check and ballance’ qeverinë.
Opozita e di se dalja nga parlamenti ka qenë e gabuar. Unë po flas për logjikën institucionale të një vendi. Një vend pa opozitë nuk ka balancë të duhur.
Do thoni ju ata dolën se nuk i pyeste njeri…Qytetarët kanë votuar por fatet e mëdha për integrimin e vendit janë të përbashkëta”, deklaroi Ahmetaj.

Ai tha se opozita duhet të heqë dorë nga kushtet iracionale dhe të ulet e të dialogojë për vendin.
‘Këto janë kushte për vendin, nuk janë kushte për Edi Ramën. Edi Rama i ka plotësuar kushtet e veta si qeveri sepse komisioni i ka dhënë ‘OK’ si qeveri. Janë kushte për vendin, patjetër që duhet punuar bashkë. Pas disa viteve do ketë një trupë të re politike. Do një përgjegjësi shumë të madhe nga të gjitha palët. Unë mendoj që opozita e ka atë racionalitet, të heq dorë nga ato kushte që i konsideroj iracionale, diku-diku të stisura e të ulet të dialogojë në të mirë të vendit. Procesin e negociatave e njoh shumë mirë”, u shpreh Ahmetaj.

Deputeti i PS tha se pret një përgjigje pozitive më 18 tetor për hapjen e negociatave, një “Po” të formatit gjerman.
“Pres një po më 17-18 tetor për hapjen e negociatave. Kushtet mendoj se do jenë në tavolinë. Pozicioni i Bundestagut do jetë ky edhe në KiE. Franca përtej atij emocioni negativ ndaj hapjes ka qëndrim shumë pozitiv ndaj Shqipërisë. Puna që ka bërë kryeministri, qeveria dhe parlamenti është të ndajë me institucionet franceze që hapja e negociatave nuk është futja në BE por një proces reformimi që do të zgjasë disa vite. Kam i bindur që Franca do ketë një ‘Po’ të ngjashme me atë të Gjermanisë.

Holanda ka pasur idenë se shqiptarët janë grupi më i madh kriminal, por kur panë statistikat ndryshoi stereotipi. Unë besoj se do marrim një ‘Po’ të formatit siç po bën Gjermania”, tha Ahmetaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb