TIRANË- Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj kanë zhvilluar një takim me bizneset e vogla duke sqaruar edhe një herë uljen e tavanit të TVSH-së.

Ahmetaj theksoi se ulja e pragut për TVSH-në nuk ka asnjë rritje kostoje për biznesin. Ai tha se ky vendim nuk bëhet për të mbushur buxhetin nga biznesi i vogël.

Ndërkohë ministri i Financave bëri të ditur se me udhëzim të kryeministrit nuk do ketë gjoba për deklarim të gabuar deri më 31 dhjetor.

“Do të jetë një deklaratë shumë e thjeshtë me 4 ose 6 kuti të thjeshta që nuk iu kërkon as të keni kontabilist, as të keni llogari të detajuara, ato do t’i mbani për vete dhe do tju bëjë të mundur të keni një deklarim të thjeshtësuar që t’ju pozicionojë në zinxhirin e transaksionit që mund të jetë kreditimi. Kryeministri ka kërkuar që të ketë një kujdes të veçantë gjatë periudhës që deklaroni për herë të parë. Nuk do ketë asnjë gjobë deri në 31/12 për deklarim të gabuar. Ka qenë udhëzim i kryeministrit dhe ne e kemi kthyer në urdhër për drejtorinë e tatimeve”, u shpreh ministri.

Ahmetaj tha se bizneset do informohen nga administrata tatimore se si bëhet deklarimi.
“Nga ulja e dyshemesë preken rreth 9775 biznese. Këto sipërmarrje të vogla po vizitohen për t’u informuar në detaje si bëhet deklarimi. Janë mbi 600 sipërmarrje që vizitohen rregullisht. Ne kemi hapur një kënd informimi për çdo sipërmarrje të vogël, për çdo paqartësi që përveç vizitave për vizitorët vetëm për t’ju ndihmuar dhe bërë pyetjet tuaja ju mund të shkoni atje. Unë pata një bisedë dje me një nga përfaqësuesit tuaj dhe rreshtuam me të drejtë të gjitha ato probleme, halle dhe mbështetje që ka dhënë qeveria. Më vjen mirë që kryetari rreshtoi një nga një që nga momenti që kemi bërë taksën zero, ulëm nivelin, etj. unë dëgjova edhe problemet që ka sipërmarrja e vogël. Kemi bërë një plan që së bashku të kemi 3-4 iniciativa dhe besoj që me biznesin e vogël që ne e shohim si një furnitor në ekonomi punësimi ne do kemi një bashkëpunim të thellë dhe të detajuar.
Qëllimi ynë skanimi i biznesit të madh. Nga biznesi i vogël vjen 0.08 % e gjithë TVSH-së”, u shpreh Ahmetaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb