TIRANE

Ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj në një prononcim për “Neës24” tha se PS ka nisur tashmë përgatitjet për zgjedhjet vendore.

“Ne nuk bëjmë antimitingje. Ajo që po bën opozita është ekstreme. Unë nuk jam nga ata njerëz që t’i kthehem opozitës me klithma. Protestat janë normale deri në momentin që janë në shtrat ligjor dhe normal, e kur nuk bëhen me qëllim për ta penguar hapjen e negociatave. Si ka mundësi që PD sa herë që ka ngjarje me rëndësi për vendin, si hapja e negociatave tani ose statusi kandidat në të kaluarën, bën protesta? Kjo tregon se ata nuk marrin përgjegjësi”, tha Ahmetaj.


I pyetur nëse opozita e sotme po proteston njësoj si PS kur ishte në opozitë, Ahmetaj u shpreh se nuk ka krahasim, për shkak se atëherë nuk kishte dhunë dhe protesta ishte në rrugë ligjore. Ai shpjegoi se përse PS mund të pranojë dialogun.


“Ne nuk bëmë të tilla veprime barbare. Ne kemi protestuar në rrugë ligjore. Ne nuk tërhiqemi asgjëkundi. Ne duam dialog për të shpjeguar pozicionet. Nuk kemi çfarë të negociojmë. Përse duhet të ikim ne, se do opozita? Atëherë t’i themi ne opozitës që nuk e duam ne Bashën kryetar opozite, a shkon kjo? Jo, sepse atë e kanë zgjedhur ata brenda normave normale kushtetuese”, u shpreh Ahmetaj.


(BalkanWeb)