TIRANE- Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ka deklaruar se duhet të bëhet më shumë nga të gjitha partitë politike për të frenuar varfërinë në Shqipëri.

Duke iu përgjigjur interesit të medias, ai pranoi se varfëria është një nga “plagët” e shoqërisë shqiptare, duke theksuar se  përballja me këtë fenomen duhet  të intensifikohet, pasi sipas tij, ajo nuk mbaron me një mandat qeverisës.

Ministri Ahmetaj shtoi faktin se Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol të rëndësishëm në  monitorimin dhe mbikëqyrjen e politikave fiskale. Ai tha se reformat janë të vështira në Shqipëri, por janë të domosdoshme për të konsoliduar sistemin financiar.

“Varfëria luftohet me reforma. Ka nevojë për një reflektim edhe për partitë politike, ulja e saj është një qëllim për të gjitha qeveritë dhe partitë. Këtu mund të vërtetojmë se çfarë do të thotë të bësh reforma të thella.  Jam i bindur  se qytetarët do të thonë se Shqipëria ka varfëri në Tiranë, Durrës, po ore po,  patjetër që ka varfëri. Në çdo 6 mujor ka rritje ekonomike.  Puna e Bankës së Shqipërisë  është për t’u vlerësuar, qoftë në aspektin në uljen e kredive të këqia, qoftë  në aspektin e inflacionit. Vizitorë të huaj qe kane hyre ne vendin tone janë  1.4 milionë, ka 26 për qind rritje në krahasim me vitin e kaluar. Rritja e pagave për mësuesit, ushtarakët, bonusi për bebet, taksa progresive. Rritja e pagave të administratës sërish, të gjitha këto janë konsekuencat e referomave. Kur bëjmë bilancin, një qeveri si kjo e jona nuk e ka luksin të mburret, por një reflektim duhet ta bëjmë”, tha Ahmetaj.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb