SHKUP- “Shpreh urimet më të mira për mikun, bashkëluftëtarin e tanimë edhe homologun tim, z. Kadri Veseli me rastin e zgjedhjes në krye të Partisë Demokratike të Kosovës”, kështu fillon letrën e urimit lideri i BDI-së Ali Ahmeti drejtuar kreut të PDK-së, Kadri Veseli me rastin e zgjedhjes së tij si kryetar i kësaj partie

Sipas Ahmetit, marrja e këtij posti është i merituar duke pasur parasyshë kontributin e tij për lirinë dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës. ”Marrja e kësaj detyre është një hap i natyrshëm dhe i merituar në karrierën e Z. Veseli duke patur parasysh kontributin e tij të madh për lirinë, pavarësinë dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës”, përcjell Zhurnal. Ahmeti shpreh dëshirën e bashkëpunimit dhe vazhdimit të përpjekjeve në integrimet euroatlantike që të dy partitë janë duke realizuar për një rajon më të sigurtë.

“Kam besimin, se me Z. Veseli në krye të Partisë Demokratike të Kosovës, kjo parti ka për të vazhduar me sukses rrugën e nisur prej ish-kryetarit Thaçi në orientimin e vendit drejt zhvillimit ekonomik dhe konsolidimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Shpreh gjithashtu dëshirën time për vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyer mes dy partive tona si dhe për vazhdimin e përpjekjeve të përbashkëta në integrimin Euro-Atlantik të mbarë rajonit”, shprehet në fund lideri i BDI-së z. Ali Ahmeti.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: