Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka vlerësuar pozitivisht qasjen realiste të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ndërsa kritikoi Evropën për vazhdimin e konfliktit, raportojnë agjencitë ruse të lajmeve.
“Donald Trump është një pragmatist. Motoja e tij bazohet në sensin e përbashkët. Kjo tashmë është e qartë për të gjithë dhe nënkupton një qasje të ndryshme në qeverisje. Megjithatë, qëllimi mbetet i njëjtë: ‘Make America Great Again’ (MAGA). Tani ai ka një slogan të ri: ‘Çfarëdo që premtoi Donald Trump, ai e bën’. Kjo i jep një dimension më njerëzor politikës. Për këtë arsye, ai është një rast interesant i një politikani,” tha Lavrov në një intervistë për grupin mediatik Krasnaya Zvezda.
Sipas Lavrovit, ekipi i Trumpit, i përbërë nga senatori Marco Rubio dhe kongresmeni Mike Waltz, është i përbërë nga “njerëz absolutisht të arsyeshëm në çdo kuptim të fjalës.” Ai shtoi se këta përfaqësues të administratës së re amerikane ishin pjesë e ekipit negociator në takimin mes Rusisë dhe SHBA-së në Riad.
“Ata flasin me mirëkuptim të ndërsjellë, pa urdhëruar dhe pa u urdhëruar. Dy vende serioze u ulën për të diskutuar se ku janë bërë gabime dhe çfarë ka shkuar keq gjatë katër viteve të fundit – duke përfshirë prishjen e të gjitha kanaleve të komunikimit, vendosjen e një sërë sanksionesh dhe politikën e largimit të kompanive amerikane nga Rusia, gjë që ka shkaktuar humbje në qindra miliarda dollarë,” tha Lavrov.
