TIRANE – Amnesty International mbështet Avokatin e Popullit lidhur me qëndrimin për gjetjen e zgjidhjeve afatgjata për familjet rome dhe egjiptiane që jetojnë pranë Parkut të Liqenit në Tiranë. Në një qëndrim publik të bërë gjatë ditës së djeshme, Amnisty International thekson se këto familje kanë nevojë emergjente për strehim të përshtatshëm dhe jo zhvendosje me forcë.

Amnesty International i kërkon Ministrit të Zhvillimit Urban dhe ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të ndalojnë dëbimin me forcë të 44 familjeve rome dhe egjiptiane (200 individë) nga autoritetet e Bashkisë Tiranë, dhe të garantojnë se në qoftë se një zhvendosje është e domosdoshme, të kryhet në mënyrë të ligjshme, dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Organizata u kërkon autoriteteve t’u sigurojnë këtyre familjeve një zgjidhje të qëndrueshme strehimi, siç është propozuar nga Avokati i Popullit. Nga kërkimet e Amnesty International rezulton se shumë prej tyre kanë qenë zhvendosur në mënyrë të përsëritur me forcë nga viti 2011, pa pasur kurrë mundësinë e një strehimi alternativ të përshtatshëm.

“Autoritetet e Tiranës kanë propozuar një sërë zgjidhjesh, të cilat Amnesty International i konsideron të papërshtatshme. Ato përfshijnë qasjen e qirave të subvencionuara (bonus strehimi), por nga kërkimet e Amnesty International dhe të tjerë rezulton se disa romë dhe egjiptianë nuk përmbushin kriterin e ardhurave, dokumentacionin dhe kriterin e punësimit për t’u kualifikuar apo përballuar qira të tilla.”

Sipas AI, familjet e prekura që figurojnë si banorë të Tiranës u është ofruar strehim në Qendrën Kombëtare të Emergjencave, megjithatë, qendra ka shumë pak hapësirë për më shumë familje, dhe ofron vetëm nevojat themelore. Vetëm nëntë prej mbi 50 familjet e dëbuara me dhunë nga Rruga e Kajavës në vitin 2013, të cilët tani jetojnë në qendër, u është ofruar strehim alternativ .

“Në vitin 2014, Shqipëria pranoi të zbatojë rekomandimet e Këshillit të Drejtave të Njeriut, duke përfshirë edhe të drejtën për strehim të përshtatshëm për romët dhe egjiptianët, dhe dyfishim të përpjekjeve për të zbatuar plotësisht Planin Kombëtar të Veprimit dhe Strategjinë për Dekadën e Përfshirjes së Romëve.
Megjithatë, në këtë drejtim është bërë shumë pak. Romët dhe egjiptianët vazhdojnë të jetojnë në strehim të pamjaftueshëm, pa siguri, dhe – pas hyrjes në fuqi të Ligjit për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje në vitin 2014 – janë vazhdimisht të rrezikuar nga shpërnguljet me forcë.”- thekson AI.

Në rekomandimin e bërë nga Avokati i Popullit, drejtuar institucioneve përgjegjëse kërkohet pikërisht: gjetja e zgjidhjeve sa më të qëndrueshme, afatgjata dhe të pranueshme nga vetë këta banorë; plane konkrete nga ana e institucioneve, të cilat mund të verifikohen fizikisht; zhvendosje jo përmes ushtrimit të dhunës, por vetëm me pëlqimin e banorëve. Respektimi i të drejtave dhe sistemimi sa më i shpejtë i këtyre familjeve, po monitorohet me shumë vëmendje nga Avokati i Popullit deri në gjetjen e një zgjidhje te qendrueshme dhe afatgjate për këta qytetarë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb