Eleonora Toçi që u vra nga bashkëshorti në Itali, ishte martuar 16 vjeç me Lulzim Toçin. Çifti kishte dy djem, por ndërsa Lulzimi jetonte në Itali, gruaja vazhdonte të jetonte në Dibër me dy fëmijët.
Për shkak të disa mosmarrëveshjeve, ata ishin ndarë para disa muajsh edhe formalisht kishin përfunduar procedurat e divorcit. Megjithatë vetëm dy muaj më parë 24-vjeçarja i ishte bashkuar burrit në Itali.
E afërmja e saj ka treguar për gazetarin Enver Doçi dhe bisedën me Leonorën pasi kishte marrë pasaportat.
“Ata ishin divorcuar dhe ishte kthyer te babai. Më pas burri e kishte kërkuar prapë. Të dyja familjet janë familje të mira. Patën bërë divorcin dhe pasi kanë bërë divorcin, erdhi një ditë te dyqani dhe më tha ‘na ka bërë pasaportat burri mua e fëmijëve dhe do ikim’ dhe kanë ikur para dy muajsh”, tregoi e afërmja duke qarë.
Ajo tregoi dhe më tej se 24-vjeçarja trajtohej si hyzmeqare në familjen e burrit. “Atij Zoti i ardhtë hakut që ka vrarë gocën! Kanë dy çuna. Ai ka pirë drogë që ka mbyt gocën. Pleqtë erdhën këtu dhe thanë t’i pajtojmë dhe njëherë pasi u ndanë. Gjoja u rregulluan. E mbyti gocën… Dhe kur ishte këtu në Shqipëri, nuk vinte në shtëpi. Ajo më kishte thënë që vetëm kur pinte drogë ishte për grua. E trajtonte si hyzmeqare. Ishte shumë e urtë. Ai e torturonte. E kanë përdorur si hyzmeqare. Vetë më kishte treguar se burri e kishte akuzuar se ka dashur t’i helmojë familjen”, tha më tej e afërmja.