TIRANË – Agjensia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve ka thyer barrierat burokratike me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke shkuar qytet më qytet, atje ku ato ndodhen, për t’i sensibilizuar, informuar dhe ofruar bashkëpunimin për zhvillimin e tyre.

Seria e takimeve në tryeza të rrumbullakëta është mbyllur dje në Durrës, ku u mblodhën të gjithë protagonistët e “Javës së SME-ve Shqiptare”: Znj. Manjola Gjoni, Drejtore Ekzekutive pranë AIDA-s; z. Alban Zusi, Zv. Ministër i Bujqësisë; z. Andrea Xhavara, Kryetar i Dhomës së Tregtisë Durrës; z. Sokol Stafa, Drejtor i Përgjithshëm pranë ALBINSPEKT; z. Alberto Prestopino, Drejtor pranë Bankës Intesa San Paolo; znj. Klodiana Gjenerali, Eksperte Komunikimi pranë Koperacionit Italian për Zhvillim si dhe z. Daniel Guçe, Drejtor i Departamentit SME&Eksporte pranë AIDA-s.

Gjoni: AIDA, e gatshme për inisiativa që mbështesin ndërmarrjet

Fjalën e hapjes Znj. Gjoni, Drejtore Ekzekutive e AIDA-s, e ka nisur me një falenderim të vecantë për bizneset e pranishëm të cilët, si rrallë ndonjëherë kanë qenë të konsiderueshëm në numër. Duke i konsideruar partner të rëndësishëm për ekonominë e vendit, AIDA, në funksion të veprimtarisë së saj, synon të ndërmarrë të gjitha nismat e nevojshme në mbështetje dhe në përmirësimin e kapaciteteve prodhuese të Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme (NVM), në certifikimin e produkteve, në krijimin e markave shqiptare, në gjetjen e tregjeve të huaja, si dhenë nxitjen dhe inkurajimin e eksporteve të mallrave e shërbimeve.

Në përmbushjen e këtij misioni, AIDA menaxhon fonde të akorduara nga qeveria shqiptare të cilat janë vënë në dispozicion të biznesit shqiptar, për këtë Znj. Gjoni i bëri thirrje të gjithë bizneseve të jenë më aktive në thithjen e informacionit duke aplikuar në këto fonde në mënyrë që ato të shtohen vitin që vjen. Gjithashtu ajo ka sjellur në vëmëndjen e të pranishmëve praktikën e suksesshme iniciuar nga MZHETS dhe mbështetur nga AIDA në krijimin e paketës lehtësuese për sektorin fason, e cila u vlerësua edhe nga bizneset pjesëmarrëse.

Xhavara: E nevojshme, marrëveshja midis AIDA-s dhe Dhomës së Tregtisë Durrës

Më pas fjalën e mbajti Z. Xhavara i cili vuri theksin në forcimin e marrëdhënieve të qeverisë dhe dhomave të tregtisë, si dhe propozoi lidhjen e një marrëveshje bashkëpunimi midis AIDA-s dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit.

Zusi: Qeveria e ka në fokus sipërmarrjen e vogël

Gjatë aktivitetit Zv. Ministri i Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Z. Zusi ka përshkruar në hollësi situatën aktuale në sektorin e bujqësisë dhe paketën e re lehtësuese që qeveria do të lancojë së shpejti. ”Duket qartazi se qeveria ka në fokus sipërmarrjen e vogel dhe të mesme dhe kjo reflekton në dyfishimin e fondeve të menaxhuara nga AIDA që ajo vë në dispozicion të biznesit” – ka shtuar ai.

Iniciativa është mbështetur nga partnerë të rëndësishëm të biznesit si Koperacioni Italian për Zhvillim, Albinspekt dhe Intesa San Paolo Bank, të cilat kanë prezantuar skemat e tyre të financimit, të akorduara në formën e granteve apo kredive në dispozicion të biznesit.

Në fund të këtij takimi u shpërndanë në mënyrë simbolike çertifikata për bizneset të cilët kanë përfituar nga skemat e granit të financimit të menaxhuara nga AIDA, ndër të cilat Albasusta dhe Faberti group sh.p.k.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: