Historiani i njohur Pëllumb Xhufi komentoi një nga tematikat më të diskutuara të momentit. Çështja mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, si dhe pozicioni i Shqipërisë. Xhufi u ndal edhe në qendrimin e kryeministrit Rama , sa i përket heqjes së vetos bullgare për MV, e cila ndikon edhe në procesin e integrimit të vendit tonë drejt BE-së. Sipas Xhufit, Rama e ka luajtur mirë këtë lojë politike, por shpërthimet e fundit të Ramës për këtë çështje, janë të tepërta sipas tij.
“Kur dy vende bashkë pranohen, bëhesh edhe më i pranueshëm. Edhe kur diskutohet, Maqedonia ka 30% të popullsisë shqiptare dhe është në kufi me Shqipërinë si dhe këto dy vende shkojnë shumë mirë, ky është një shembull, që na intereson ne. Të nisemi nga kjo, se ajo ndarja që kërkojmë ne është e thjeshtë, por po u ndamë më pas dalin në skaner disa të meta që ne i kemi. Se ne kemi ca të meta të mëdha shumë, të cilat me këtë lojë politike që e ka bërë shumë mirë edhe Rama, e ka bërë shumë mirë deri dje pa këto shpërthimet në ditët e fundit, e ka bërë shumë mirë edhe lidhjen me Maqedoninë.
Gjuha e Ramës ishte shumë e avancuar. Kam vlerësimet e mia për të, ka bërë gjëra të mira dhe shpresoj se do të vazhdojë të bëjë. Por në atë post që është, gjuha duhet frenuar. Emocionet në radhë të parë duhen frenuar, duhet t’i bësh thirrje vetes në radhë të parë, që kush jam dhe çfarë përfaqësoj, çfarë hallesh dhe problemesh kam si dhe çfarë dua të nxjerr ose të marr. Nuk mund, të marrësh nëpër gojë, sepse nuk mori vetëm Bullgarinë, por edhe Maqedoninë, mori dhe Greqinë ,edhe Serbinë. Mirëpo nuk mund të luash në të gjitha frontet.
Shumë mirë, unë e admiroj fjalimin e tij, nga ana stilistike por jo si kryeministër. Ne kemi fjalimin e Nolit, se është bërë krahasimi, i cili po të kishte qenë në Lidhjen e Kombeve, kur ai e ka mbajtur, mund të entuziazmoheshim, pastaj të nesërmen do thonim, çna bëri se i ra anglezit, e tjetrit e tjetrit. Këtej kërkonte borxh e këtej thoshte ju nuk jepni. Por Noli nuk ishte politikan, ai e pranonte, e ka thënë që këtej po i vinte Zogu këtej i binte fyellit, pasi nuk ishte politikan dhe eksperienca nuk kishte. Ndërsa Rama, është politikan, edhe që ka luajtur, madje edhe shumë mirë, disa herë ka luajtur shumë mirë. Por kjo për mua ishte e tepërt, sepse u fut me një dialektikë maqedono-bullgare, që për ta është shumë sensitive, ndërsa për të thjesht një fjalë goje. Edhe ajo që tha në Athinë, në mbledhjen e kryeministrave, ku tha: “Maqedonia, Bullgaria e Perëndimit”.
Shumë e rëndë, jo e rëndë por bombë, në diplomaci nuk bëhen këto gjëra. Ajo është ndërhyrje pa takt, edhe në bazë të rrethanave. Aty mikpritësi ishte kryeministri Mitsotakis, nuk ishte zoti Rama. Ai priste miqtë, ky ndërhyri dhe tha një mufkë. Një mufkë, që me të drejtë pati reagime, të jashtëzakonshme. Dhe sipas gjykimit tim, ka një moment që duhet bërë kthesë dhe të mësohet nga gabimet, dhe nuk duhet të kesh pretendimin, që ty të të përshtatet opinion. Duhet t’i përshtatesh ti opinionit”, u shpreh Xhufi për Dritare TV.