Të hënën deputetët do të ngrenë kartonat për të krijuar komisionin hetimor parlamentar për verifikimin e shkeljeve kushtetuese të Presidentit të Republikës Ilir Meta. Komisioni hetimor, që do drejtohet nga Ulsi Manja, do ketë 9 anëtarë, 5 nga mazhoranca dhe 4 nga opozita parlamentare.

Kreu grupit parlamentat socialist Taulant Balla tha se do respektohen të gjitha përcaktimet ligjore dhe fundi do të jetë votimi për largimin e Metës nga zyra presidenciale.


Sipas tij, zhvillimet e ditëve të fundit tregojnë se “zyra e Kreut të Shtetit” duhet të zbrazet sa më parë. Balla tha se nisma e 55 deputetëve është marrë tashmë në shqyrtim nga Komisioni i Ligjeve.

“Në zbatim të plotë të Kushtetutës dhe Rregullores se Parlamentit jemi në fazën kur Komisioni i Ligjeve ka diskutuar nismën e 55 anëtarve të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit. Raporti i Ligjeve i shkon seancës plenare. Sipas rregullores diskutohet raporti i Ligjeve, në rast se raporti miratohet procedura vijon më tej. Më pas ngrihet Komisioni Hetimor që do të hetojë shkeljet e Presidentit. Edhe ky komision ia çon raportin e tij me gjetjet Kuvendit. Nëse merr 94 vota, Presidenti shkarkohet. Vulën e vë më pas Gjykata Kushtetuese.Pra jemi në zbatim të përpiktë të afateve Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit. Sa më shumë ditët kalojnë aq më shumë e nevojshme bëhet lirimi i asaj zyre”,- tha Balla.

I pyetur nga gazetarët për një përgjigje për Presidentin që kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të Përgjithshme dhe për President të ri në datën 13 tetor kur edhe ka dekretuar zgjedhjet vendore, Balla tha se ashtu si dje përgjigjja ishte kjo: Vijojmë procedurat për shkarkimin e Metës.

Prononcimi i plotë për mediat:

Z.Balla, cila do të jetë agjenda e seancës së posaçme në Kuvendin e Shqipërisë?

Në zbatim të plotë të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, neni 112, paragrafi 3, jemi në fazën kur është shqyrtuar nga Komisioni i Çështjeve Ligjore nisma e depozituar nga 55 anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë, për shkarkimin e Presidentit të Republikës z. Ilir Meta. Në këtë fazë të këtij procesi, raporti i Komisionit të Ligjeve i shkon seancës plenare. Sipas Rregullores, Kuvendi i Shqipërisë diskuton në seancë plenare raportin e Komisionit të Ligjeve dhe në rast se raporti miratohet, procedura vijon më tej; dhe me miratimin e raportit, ngrihet dhe Komisioni Hetimor për evidentimin e shkeljeve nga ana e Presidentit të Republikës dhe më pas, Komisioni Hetimor paraqet në Kuvendin përfundimtar, i cili në rast se merr mbështetjen e 94 apo më shumë deputetëve anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë, miraton shkarkimin e Presidentit. Certifikimin e këtij procesi e bën më pas Gjykata Kushtetuese.

Kush do të jenë anëtarët e Komisionit Hetimor z. Balla?

Kjo është një vendimmarrje që i takon grupeve parlamentare. Patjetër që tre grupet parlamentare do të propozojnë përfaqësuesit e tyre në këtë Komision. Praktikisht ju e dini që, qoftë 9,11 apo 13 anëtarë Komisioni, kjo është praktikë e konsoliduar në eksperiencën e punës parlamentare, por e rëndësishme është që jemi në zbatim të përpiktë të afateve kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit për të çuar më tej këtë kërkesë, e cila sa më shumë ditë kalojnë, aq më kuptimplotë bëhet bazueshmëria e nevojës për të liruar sa më shpejtë zyrën e Presidentit të Republikës.

Z. Balla keni menduar për Presidentin e ri?

Patjetër që ju gazetarët keni nevojë të dini më shumë. Sot e rëndësishme është që ju të merrni lajmin që, Kuvendi vijon procedurën normale dhe më shumë se kaq, dua t’ju them se sapo kemi rifilluar punën intensive parlamentare të Kuvendit.

Z. Balla nesër mungon votimi i ligjit për ndryshimet e Kodit Penal, përfshirë edhe një forcim për ata që mund të prishnin zgjedhjet, pse jeni tërhequr? Ka një arsye?

Nuk jemi tërhequr, por grupet parlamentare të opozitës kanë kërkuar më shumë kohë dhe kjo ka qenë arsyeja. Ju i zbardhni diskutimet në Konferencën e Kryetarëve. Unë kam ri-shprehur dakordësinë time si Kryetar i grupit parlamentar të mazhorancës, që grupet parlamentare të opozitës të kenë më shumë kohë në dispozicion. Unë jam shumë i bindur që edhe ndryshimet në Kod do të kalojnë me konsensus.

Z. Balla keni një reagim nga deklarata e djeshme e Presidentit të Repubikës?

Unë reagimin e kam bërë shumë të qartë dje. Sot vijojmë procedurën e shkarkimit.

A po bën përpjekje Partia Socialiste me Partinë Demokratike për tu ulur në dialog me z. Basha?

Ka një instrument të rëndësishëm këtu në Kuvend: dialogu, disponibiliteti. Komisioni i Reformës Zgjedhore ka lënë të hapur mundësinë që Partia Demokratike të ketë një përfaqësues të vetin në Komisionin e Reformës dhe besoj se ajo, që do të prevalojë në punën e rëndësishme të Kuvendit në javët dhe muajt në vijim është pikërisht Komisioni i Reformës Zgjedhore, i cili bashkë-kryesohet edhe nga Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, znj. Hajdari.

Jam shumë i bindur që ky Komision do të bëjë një punë të mirë brenda atij afati, që kemi përcaktuar me vendimin konsensual, me të gjithë anëtarët e Kuvendit të Shqipërisë.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: