Një skandal ka ndodhur në Akademinë e Policisë, ku të skuafilikuarit kanë arritur të fitojnë të drejtën e studimit.
Lista e parë e fituesve dhe e dyta ka ndryshime, teksa në listën e dytë ka persona, që ishin të skualifikuar dhe janë futur në listë. Gazetari Igli Celmeta, i ftuar në Çështja e Ditës në News 24 dha detaje të asaj që ka ndodhur me konkursin për degën e Hetimit dhe Sigurisë. Nga lista e parë e fituesve, nga numri rendor 86 deri në 100 kanë mbetur pa vijuar shkollimin. Gazetari tha se procesi është jo transparent dhe ka hije dyshimi.
Renditja paraprake e listës fituese e datës 25 gusht
Igli Celmeta: Këtë vit është hapur dega Siguri dhe Hetim, për maturantë që kanë mbaruar shkollën e mesme. Ata që mbarojnë studimet në Bachelor, marrin gradën nënkomisar. Më datë 25 gusht, në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit janë shpallur fituesit. Më datë 26 gusht, me urdhër të drejtorit të Policisë së Shtetit, në faqen zyrtare në Facebook, jepet njoftimi që nis procesi i ankimit më datë 26-27 gusht, ku mund të bënin ankimim aplikantët, që kërkonin të drejtën e tyre. Por ajo që kemi kuptuar është fakti që ankimim kanë bërë aplikantët që kanë qenë të renditur në vend të 100 ose më keq. Aplikantët që janë shpallur fitues nuk kanë bërë ankimim, se nuk kanë pasur arsye ta bëjnë, sepse janë shpallur fitues.
13 persona të skualifikuar janë futur në listën e dytë, numrat 4,7,9,10,11,12,16,22,31,47,50,59
Por çfarë ka ndodhur? Rreth 14 aplikantë, që kanë qenë jashtë listës fituese, janë futur tek lista fituese. Është absurde. Nuk kuptohet pse janë skualifikuar këta persona dhe më pas janë kthyer në listën fituese dhe personat që kanë qenë tek lista fituese nga 86 tek 100 janë nxjerrë jashtë liste dhe kanë humbur të drejtën e studimit. Prsh i skualifikuari, që ishte i 146-ti, në listën e dytë është në vendin e katërt. Të dyja listat janë nxjerrë nga Policia e Shtetit, njëra listë u publikua më 25 gusht dhe tjera më 28 gusht. Një të përjashtuari i janë shtuar prsh 9 pikë pas procesit të ankimimit. Kjo është e çuditshme, pasi 50 përqindëshi i pikëve që është në fazën fillestare të aplikimit nuk ndryshon. Edhe 30 përqindëshi i testit fizik nuk ndryshon. Edhe 20 përqindëshi i testit psikologjik dhe me gojë nuk ndryshon. Nuk e kuptoj si i janë shtuar 9 pikë këtij aplikanti, që ka qenë te lista e të skualifikuarve dhe më pas është spostuar një person tjetër, që është shpallur fitues.
Mua më kanë kontaktuar shumë aplikantë, që kanë dalë jashtë listës fituese. Janë shpallur fitues më datë 25 gusht, kanë parë emrin të afishuar si fitues, kanë shkuar të regjistrohen te shkolla në Akademinë e Sigurisë për degën Siguri dhe Hetim. Kur kanë shkuar, kanë parë se janë jashtë liste. Komunikimi që iu është bërë ka qenë se është bërë një proces ankimimi (edhe pse nuk janë njoftuar personalisht për këtë, është bërë thjesht një njoftim në FB), por dikush që është shpallur fitues, nuk ka pse të shikojë përditë faqen në Facebook të Policisë së Shtetit për të parë nëse do ketë ankimime apo jo. 13 nga 14 fituesit në listën e dytë madje kanë qenë të skualifikuar, nuk plotësonin kriteret.
Është e çuditshme që të jenë shpallur fitues 13 personat që nuk plotësonin as kriteret. Kjo sepse mesatarja e shkollës së mesme nuk ndryshohet, mosha nuk ndryshohet, edhe gjatësia trupore nuk ndryshohet për kaq pak kohë, po ashtu dhe aplikantët që iu është bërë testi i drogës, kjo nuk ndryshon. Absurdi është se jo vetëm kanë fituar, por janë dhe në krye të listës. Pjesë e Komisionit të Ankimimit është zv drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtori i Drejtorisë së Standardeve, Drejtori i Burimeve Njerëzore në Policinë e Shtetit dhe ekspertë të tjerë. Procesi është jo transparent.
Çfarë kriteri ka ndryshuar, që të skualifikuarit u kthyen në garë, dolën fitues dhe spostuan 13-14 të tjerë, që kanë fituar shkollën me djersë. Tashmë këtyre 14 personave iu është hequr e drejta e shkollës. Kjo është ngjarje tepër e rëndë dhe është krim t’ja heqësh të drejtën e shkollimit një personi, sidomos një maturanti, që mund ta ketë pasion e dëshirë shkollën në Policinë e Shtetit. Procesi ka hije dyshimi. Që në shkollë nis fakti nëse do kemi një Polici të Shtetit të aftë. Kur ndodh një gjë e tillë, më pas do kemi shefa komisariatesh që implikohen me krimin. Nëse le pa shkollë një person që e meriton dhe shpall fitues dikë që nuk e meriton, ky është krim. Të na japin një përgjigje. Policia e Shtetit të japë përgjigje.
(Balkanweb)