TIRANË- Në një ceremoni të zhvilluar sot në Institucionin e Presidentit të Republikës, Kryetari i Shtetit, Bujar Nishani i dorëzoi dekretin e dhënies së shtetësisë shqiptare akademikut, poetit e prozatorit, eseistit e profesorit të letërsisë, Nënkryetarit të Parlamentit të Kosovës, Sabri Hamiti.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin familjarë dhe figura të rëndësishme të jetës akademike dhe kulturore të vendit si Kryetari i Akademisë së Shkencave, Muzafer Korkuti dhe akademiku Kolec Topalli, Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, studiues dhe përkthyes, mësimdhënës e shkrimtarë, etj.

Në fjalën e tij Presidenti Nishani u shpreh: “Sot nëpërmjet një akti, dekretit të dhënies së shtetësisë shqiptare Akademik Sabri Hamitit dua të shpreh mirënjohjen dhe nderimin e shtetit tonë për një figurë simbolike të  ruajtjes së identitetit kombëtar. Një mision ky i realizuar përmes veprës së tij të shumanshme mbi 35 vëllime, të qëndresës, intuitës dhe vizionit erudit, në të cilën ideologjia naimiane ‘Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar.’ është kudo e pranishme, ndaj të dashur miq, ky dekret bashkon përmbajtjen me formën. Sabri Hamiti ky bashkëudhëtar mendimesh, kauzash dhe betejash me Ibrahim Rugovën u shndërrua në njërin prej udhëheqësve të rezistencës shpirtërore, kulturore dhe politike në kapërcyellin e dy shekujve për të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Pasi mori në dorëzim nga Presidenti Nishani, dekretin e firmosur të shtetësisë shqiptare nga Kreu i Shtetit, Akademiku Sabri Hamiti u shpreh tepër i emocionuar. “I nderuari dhe i çmuari zoti President i Republikës së Shqipërisë, sot kam marrë  nderimin më të madh që kam marrë deri më sot. Kjo sepse tërë atë që kam mundur të bëj, mendoj që e kam bërë për të krijuar atë që edhe ju e përmendet njësi shpirtërore dhe kulturore shqiptare . Mendoj që kjo është Alfa dhe Omega, edhe kulturore edhe historike e shqiptarëve që në dy dekadat e fundit promovoi një emancipim të tyre në të gjitha trevat. Ju e përmendet në fjalën tuaj identifikimin e tipit në naimian. Po të gjithë ne jemi nxënës të rilindësve edhe në kuptimin emocional dhe në kuptimin atdhetar – nacional. Për një poet tjetër më i vonshëm se Naimi, por sigurisht i burimësisë Naimiane, Lasgushi Poradeci thoshte: Më pat lindur vendi i Zotit, bëj punën e njeriut. Atë që i madhi na jep tutje, na jep të bëjmë punën e njeriut, në kuptimin edhe filozofik edhe në kuptimin personal. Pra, të punojmë aq sa mundeni që shqiptarët siç janë historikisht, gjeografikisht, evropian të jenë edhe politikisht të tillë”, tha ai.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: