TIRANË- Akademiku Artan Fuga ka folur sot në studion e News24 në rubrikën “Opinion” për situatën në Shqipëri në një rrafsh tjetër. Ai mori si referencë librin e tij “Shoqëria periferike”, ndërsa tha se e gjithë shoqëria shqiptare, ekonomia etj është në periferi për shkak të vonesës me integrimet evropiane.

E për sa i përket taksës së “Rrugës së Kombit” ai tha pikërisht këtë mungesë integrimi e vuajnë më shumë zonat rural dhe se popullsia si pa këtë taksë ashtu edhe me të është në zgrip të varfërisë.

“Në librin tim unë kam folur është periferia e periferisë. Shoqëria shqiptare, ekonomia shqiptare prej dekadash ka marrë një vonesë në integrimet europiane dhe në një farë mënyre paguan pasoja të rënda të kësaj vonese. Pra, ndodhet në periferi të BE-së, të Perëndimit, një shoqërie bashkëkohore. Nëse qendra e kësaj periferie do ishin qendra të mëdha si Tirana, Shkodra, Korça, etj zonat kodrinore malore, elementë të territorit rural janë periferia e periferisë dhe i paguajnë dyfish pasojat e mosintegrimit.
Popullsi të tëra largohen nga Shqipëria dhe zbrazin zonat rurale. Ekonomia shqiptare ka gamë produktesh me cilësi të papranueshme nga tregu evropian, të gjithë këta faktorë sjellin që shteti të jetë në vështirësi dhe të gjejë dinamika të tjera. Me taksën e kombit apo pa taksën, kemi një popullsi në zgrip të varfërisë”, u shpreh Fuga.

Duke folur për zhvillimin, akademiku tha se infrastruktura në vend ka degraduar. Fuga theksoi se duhet të dëgjohet zëri i qytetarëve ne zonat rurale por u shpreh për një zgjidhje brenda sistemit.
“Vitet e fundit ka degradim shumë të madh të rrugëve. Kalo në rrugën dytësore nga mbikalimit për në Vorë. Do shikoni çfarë degradimi ka pësuar. Nga Tirana në Durrës. Shkoni në rrugën e Ndroqit. Duhet dëgjuar zëri i qytetarëve në zonat rurale. Unë nuk kërkoj zgjidhje jashtë sistemit. Unë kërkoj modelin e demokracive botërore”, deklaroi Fuga.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: