Zbardhet mendimi i pakicës së gjyqtarëve të Kushtetueses për padinë e Shoqatës së Prodhuesve të Pijeve alkoolike që kërkoi shfuqizimin e ligjit për unifikimin e akcizës.
Në qëndrimin kundër shumicës që vendosi rrëzimin e kërkesës së prodhuesve dhe la në fuqi ndryshimet ligjore për dyfishimin e akcizës, dy gjykatësit fillimisht argumentojnë se Gjykata Kushtetuese nuk respekton parimin e shtetit të së drejtës në dy çështje me tipologji të njëjta pasojash, cenimin e proporcionalitetit.
“Duke mbajtur në konsideratë ngjashmërinë e dy çështjeve, çmojmë se çështja konkrete duhet të kishte të njëjtin përfundim me rezultatin e arritur për Ligjin e Tatimeve – atë të pranimit të kërkesës, pasi trajtimi edhe në këtë rast ka të bëjë me shqyrtimin e proporcionalitetit të akcizës për prodhuesit e vegjël, për të cilët ajo u dyfishua menjëherë për shkak të unifikimit. Në këtë pikëpamje, dy zgjidhje diametralisht të kundërta, të dhëna në çështje kushtetuese të shqyrtuara në të njëjtën kohë nga Gjykata dhe me të njëjtën tipologji pasojash, nuk respektojnë parimin e shtetit të së drejtës, në kuptim të respektimit të rregullit të vazhdimësisë së jurisprudencës”, citohet në mendimin e pakicës.
Nga 1 janari 2023, pas një periudhe 15-vjeçare të funksionimit te akcizës së diferencuar në varësi të sasisë së prodhimit, me hyrjen në fuqi te ligjit të ri të akcizës, unifikohet akciza, duke dyfishuar atë për prodhuesit e birrës nën 200.000 HL në vit, nga vlera 360 lekë/ HL në 710 lekë/HL.
Për dy gjygjtarët e gjykatës Kushtetuese që përbëjnë mendimin e pakicës dyfishimi i akcizës kundërshtohet për disa arsye.
Së pari sipas mendimit të pakicës niveli i akcizës së vendosur nuk është zgjedhur në masën e përdorur nga shumica dërmuese e vendeve të BE-së dhe atyre të Ballkanit, por ka preferuar të renditet ndër ato vende me akcizën më të lartë.
Së dyti, në drejtim të kategorizimit të sasisë së prodhimit, nuk aplikohet tarifa e reduktuar në mbështetje të birrave të vogla sipas direktivës së KE-së.
“Pavarësisht se direktivat evropiane nuk paraqesin detyrim për shtetet për të aplikuar tarifa të reduktuara, kjo praktikë është e njohur dhe e zbatueshme dhe ka për qëllim diferencimin prodhuesve të birrës në varësi të kapaciteteve të tyre”, thuhet ndër të tjera në mendimin e pakicës.
Po ashtu dy gjygjtarët argumentojnë se dyfishimi i akcizës nuk justifikon shmangien e evazionit fiskal për sa kohë industria e prodhimit dhe tregtimit të birrës monitorohet nga një sistem gjurmimi me pullë fiskale.
Sakaq në vendimin e 16 Korrikut të Gjykatës Kushtetuese çmoi se gjatë gjykimit nuk u provua se ndryshimet ligjore kanë cenuar thelbin e lirisë së veprimtarisë ekonomike apo e kanë vënë në rrezik atë deri në atë masë që të vihet në dyshim ekzistenca e saj. Në këtë këndvështrim, unifikimi i akcizës nuk përbën një mjet joproporcional. Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash rrëzimin e kërkesës.
Disa nga pikat e mendimit të pakicës për padinë e prodhuesve të birrës
8. Ndaj është e rëndësishme që në këtë pikë të ritheksojmë edhe qëndrimin e mbajtur nga Gjykata në vendimin e saj të fundit në lidhje me Ligjin e Tatimeve, e nënkriteri i domosdoshmërisë lidhet me përdorimin e mjeteve më pak të dëmshme për subjektet që u cenohen të drejtat dhe liritë, që do të thotë se duhet të analizohet nëse ligjvënësi ka pasur në dispozicion mjete më pak të ashpra për të arritur qëllimin e tij.
Gjykata u shpreh se zbatimi i skemave të reja tatimore duhet të shoqërohet me masa të përshtatshme kalimtare. Midis këtyre masave, dhënia kohë tatimpaguesve u krijon atyre mundësinë jo vetëm të njihen me formulat e llogaritjes së zbatimit të tatimit ndaj tyre, por edhe të marrin masa që vetë subjektet tatimpaguese i vlerësojnë të nevojshme për të përshtatur aktivitetin e tyre në mënyrë që të përballojnë pasojat e skemës së zbatueshme (shih vendimin nr. 52, datë 27.06.2024 të Gjykatës Kushtetuese).
Ne atë rast, Gjykata shqyrtoi proporcionalitetin e skemës së re tatimore (15 % nga 0%) për të vetëpunësuarit dhe entitetet me të ardhura të tatueshme deri në 14 milionë lekë në vit, duke arritur në përfundimin se skema nuk ishte në përputhje me Kushtetutën, për shkak se ndërhynte në lirinë e veprimtarisë ekonomike, të garantuar nga neni 11 i Kushtetutës, pa respektuar parimin e proporcionalitetit në drejtim të domosdoshmërisë/ashpërsisë së mjetit të përzgjedhur.
9. Duke mbajtur në konsideratë ngjashmërinë e dy çështjeve, çmojmë se çështja konkrete duhet të kishte të njëjtin përfundim me rezultatin e arritur për Ligjin e Tatimeve – atë të pranimit të kërkesës, pasi trajtimi edhe në këtë rast ka të bëjë me shqyrtimin e proporcionalitetit të akcizës për prodhuesit e vegjël, për të cilët ajo u dyfishua menjëherë për shkak të unifikimit.
Në këtë pikëpamje, dy zgjidhje diametralisht të kundërta, të dhëna në çështje kushtetuese të shqyrtuara në të njëjtën kohë nga Gjykata dhe me të njëjtën tipologji pasojash, nuk respektojnë parimin e shtetit të së drejtës, në kuptim të respektimit të rregullit të vazhdimësisë së jurisprudencës.
Detyrimi për vendimmarrje të njëjtë dhe të qëndrueshme në çështje të ngjashme, të cilin Gjykata e ka imponuar në një sërë rastesh për gjykatat e zakonshme (shih vendimet nr. 8, datë 19.03.2018; nr. 26, datë 22.05.2015; nr. 6, datë 17.02.2012 të Gjykatës Kushtetuese) duhet të respektohet edhe prej vetë asaj.
10. Nisur nga premisa e mësipërme, në vijim paraqesim arsyet përse mendojmë se vlera e re e akcizës së unifikuar për prodhuesit e birrës nën 200.000 HL në vit nuk përmbush nënkriterin e domosdoshmërisë, në drejtim të ashpërsisë së masës.
10. Me hyrjen në fuqi te ligjit nr. 81/2022, pas një periudhe 15-vjeçare të funksionimit te akcizës së diferencuar në varësi të sasisë së prodhimit, ligjvënësi ka realizuar unifikimin e akcizës duke dyfishuar atë për prodhuesit e birrës nën 200.000 HL në vit, nga vlera 360 lekë/ HL në 710 lekë/HL (e cila më pas me ligjin nr. 94/2023 për shkak të indeksimit, arriti vlerën 744.4 lekë/HL). Për të dëshmuar efektet e aplikimit të kësaj skeme të re kërkuesja gjatë shqyrtimit në seancë plenare paraqiti një sërë të dhënash konkrete, të cilat nuk u kundërshtuan nga subjektet e interesuara, megjithatë të dhënat nuk u morën në konsideratë nga shumica në analizën e saj mbi proporcionalitetin e ndërhyrjes, që e bën vlerësimin e shumicës abstrakt, pra të palidhur me rrethanat konkrete te çështjes.
11. Në ndryshim nga shumica, ne gjyqtarët në pakicë, duke u ndalur dhe analizuar edhe të dhënat konkrete të shqyrtuara në gjykimin kushtetues, vlerësojmë se ndryshimet ligjore të kundërshtuara janë të ashpra për katër arsyet e mëposhtme.
12. Së pari, g sa i takon vlerës së masës së re të parashikuar, nga të dhënat e paraqitura nga kërkuesja në seancën plenare, rezulton se në analizë krahasimore të vendeve të BE-së, 10 shtete aplikojnë një nivel të akcizës më të lartë se në Shqipëri (Estoni, Finlandë, Francë, Greqi, Irlandë, Lituani, Letoni, Holandë, Suedi dhe Sllovaki), ndërsa 17 shtete të tjera kanë një nivel me të ulët (si p.sh: Austria, Gjermania, Spanja, Kroacia, Rumania etj.). Edhe për sa u përket vendeve të Ballkanit, Shqipëria qëndron në vendin e dytë për akcizën më të lartë prej 0.12 eurosh për 1 shishe 330 ml, në krahasim me shtetet e tjera.
Të dhënat e mësipërme, të cilat nuk rezultojnë ë jenë vënë në dyshim nga subjektet interesuara, nxjerrin në pah se ligjvënësi nuk ka zgjedhur masën e përdorur nga shumica dërmuese e vendeve të BE-së dhe atyre të Ballkanit, por ka preferuar të renditet ndër ato vende me akcizën më të lartë.
13. Gjithashtu, sikurse ka pretenduar kërkuesja, niveli i masës aktuale të akcizës është 3 herë më shumë se niveli minimal i parashikuar në direktivat nr. 92/84/KE dhe nr. 92/83/KE. Në këtë pikë, pa vënë në dyshim faktin se direktivat nuk janë pjesë e rendit juridik shqiptar dhe si te tilla pretendimet në lidhje me to nuk mund të hyjnë në juridiksionin kushtetues, nuk mund të mos pranohet vlera e tyre në përafrimin e legjislacionit, në kuadër të detyrimeve të MSA-së, që ka lidhur Republika e Shqipërisë për procesin e integrimit evropian.
Në këtë pikëpamje, ndonëse legjislacioni për akcizat ka synuar përafrimin me direktivat e KE-së, përfshirë edhe dy direktivat në fjalë’, ndryshimet e mëvonshme të këtij ligji, të cilat janë objekt kontrolli në këtë gjykim kushtetues, duket se janë larguar nga qëllimi i legjislatorit në vitin 2012. Thënë kjo, pavarësisht se përafrimi i ligjeve ekzistuese dhe atyre të ardhshme me legjislacionin e BE-së përbën rëndësi parësore për Shqipërinë e konkretizuar në detyrimet e marra përsipër nëpërmjet MSA-së (shih nenin 70 të MSA-së), në rastin konkret duket se ligjvënësi nuk është orientuar nga kjo perspektivë.
14. Së dyti, në drejtim të kategorizimit të sasisë së prodhimit, po nga të dhënat e paraqitura në seancë nga kërkuesja, rezulton se diferencimi i akcizës në varësi të sasisë së prodhimit është një fenomen i njohur në shumë vende evropiane dhe i mbështetur edhe në direktivën 92/84/KE, ku shtete të ndryshme aplikojnë fasha të ndryshme të akcizës për birraritë e vogla të pavarura.
Pavarësisht se direktivat evropiane nuk paraqesin detyrim për shtetet për të aplikuar tarifa të reduktuara, kjo praktikë është e njohur dhe e zbatueshme dhe ka për qëllim diferencimin prodhuesve të birrës në varësi të kapaciteteve të tyre. Ndërkohë që ligjvënësi, sikurse u theksua më lart, me ligjin e ri unifikoi tarifën e akcizës pavarësisht sasisë së prodhimit, duke barazuar në ketë kuptim prodhuesit me prodhimtari më të lartë me ata me prodhimtari të ulët.
15. Së treti, për sa i takon ekzistencës së mjeteve të tjera më pak të ashpra, nisur nga shpjegimet dhe argumentet e subjekteve të interesuara gjatë gjykimit kushtetues nuk u provua se unifikimi i akcizës në mënyrë të menjëhershme ishte mjeti i vetëm që mund të përdorej nga ligjvënësi për të arritur qëllimin e tij. Nisur nga premisa se prodhuesit e nën 200.000 HL birrë në vit edhe përpara ndërhyrjes së kundërshtuar nuk kanë qenë të përjashtuar nga pagesa e akcizës, nuk mund të mos konsiderohet se ekzistojnë mjete të tjera, të tilla si rritja progresive dhe graduale e akcizës, e cila do t’u jepte kohë dhe mundësi prodhuesve të përshtateshin me këto ndryshime dhe me barrën e re fiskale.
Lidhur me këtë situatë, vëmë në dukje rëndësinë që ka qartësia e normave ligjore në fushën fiskale, përfshirë edhe për akcizat. Në ketë këndvështrim, periudha kohore që përcaktohet për çdo situatë konkrete duhet të vlerësohet duke pasur parasysh një sëre rrethanash, sikurse qëllimi i ligjit në sistemin juridik dhe karakterin e marrëdhënieve shoqërore te rregulluara prej tij: rrethi i subjekteve ndaj të cilëve zbatohet dhe mundësitë e tyre për tu përshtatur me normimet e reja; nevoja që normat e reja të hyjnë në fuqi në kohë sa më të shpejtë; si dhe interesi publik dhe mbrojtja e vlerave kushtetuese që tejkalojnë interesin një individi për të pasur më shumë kohë ne dispozicion për tu përshtatur.
Në këtë pikë, theksojmë se hyrja e shpejtë në fuqi ligjeve që vendosin detyrime dhe/ ose kufizime duhet të jetë një përjashtim, i bazuar dhe justifikuar në rrethana të veçanta objektive. Kjo do të thotë se kur behën ndryshime në fushën fiskale, sikurse Parashikimi i detyrimeve te reja: apo detyrimeve ekzistuese, periudha kohore e lënë në dispozicion për hyrjen në fuqi të tyre duhet të justifikohet vetëm në bazë të premisës së garantimit të një interesi të rëndësishëm publik, sikurse mund të jete stabiliteti i financave Publike.
Në këtë drejtim dhe në kontekstin e parimit kushtetues të shtetit të së drejtës, ligjvënësi, në rastet e ligjeve që i përkasin sistemit fiskal, është i detyruar të Parashikojë një periudhë kohore të mjaftueshme për hyrjen në fuqi të ligjit, përgjatë së cilës subjektet e do të mund të përgatiteshin Për zbatimin e kërkesave që rrjedhin prej rregullave të reja ligjore.
Kjo u, jep garancinë atyre që jo vetëm të njihen paraprakisht me kërkesat e reja ligjore, por edhe të përshtatin interesat e tyre pasurore dhe perspektivat e aktivitetit ekonomik në përputhje me kërkesat e reja ligjore. Përkundër kësaj, në rastin konkret, ligjvënësi zgjodhi të dyfishonte në mënyrë të menjëhershme vlerën e akcizës. Parë nën këtë optikë, një tjetër mjet më i butë i përzgjedhur nga ligjvënësi do të ishte edhe ulja e pragut prej 200 000 HL në një sasi më të ulët, të ngjashme me modelet evropiane, apo edhe ndryshimi proporcional i tarifës për prodhuesit me mbi 200 000 HL në vit.
17. Se katërti, vlerësojmë se qëllimi i subjekteve të interesuara për shmangien e evazionit fiskal nuk e justifikon ndërhyrjen e ligjvënësit, për sa kohë anëtarët e shoqatës paraqitën argumente se industria e prodhimit dhe tregtimit të birrës monitorohet nga një sistem gjurmimi me pullë fiskale dhe në praktikë ekziston mundësia që pikërisht rritja e akcizës të motivoje prodhuesit shmangien e saj. Për më tepër, mungesa e kapaciteteve kontrolluese te institucioneve shtetërore dhe efikasitetit të monitorimit të prodhimit dhe tregtimit të birrës nuk mund të përbëje arsye të mjaftueshme për kufizimin e lirisë ekonomike, në atë masë sa të mos përmbushë kriterin e proporcionalitetit.
18. Në përfundim, mbështetur në argumentet e mësipërme, ne, gjyqtarët në pakicë, vlerësojmë se Gjykata duhej të kishte pranuar kërkesën e kërkueses dhe të vendoste shfuqizimin e ligjeve të kundërshtuara për sa përket pjesës që kanë parashikuar unifikimin e akcizës për 1 produktin e birrës, sipas arsyetimit të mësipërm.
Anëtare:
Marsida Xhaferllari
Fiona Papajorgji
/Monitor/