TIRANE – Këshilli Drejtues i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare vendosi zyrtarisht të anulojë tenderin, që do t’i jepte mundësinë e ofrimit të shërbimit 3G edhe operatorit të katër të telefonisë së lëvizshme në vend, ”Plus Communication”, pasi “Plus” nuk ishte në gjendje të paguante në kohë shumën që pati ofruar.


Dokumenti i tenderit parashikonte që fituesi të paguante vlerën e ofertës brenda shtatë ditësh nga marrja e njoftimit.


AKEP ka njoftuar operatorin “Plus” për shpalljen fitues më datën 30 Tetor, por deri më datë 13 Nëntor ky subjekt arriti të derdhë në buxhetin e shtetit vetëm 100 mijë euro. Sipas AKEP, ofertat që do të vlerësoheshin në raundin e parë të vlerësimit ishin të vlefshme vetëm për operatorë që nuk kishin një Autorizim Individual për përdorimin e frekuencave të brezave 3G.


Në hapjen e ofertave që u bë më datë 15 Shtator, “Plus” ofroi rreth 2.97 milionë euro për dy nga katër brezat në garë. Interneti 3G ofrohet nga tre operatorë dhe, mbështetur në statistikat e AKEP, në fund të 6-mujorit të parë 2014 ky shërbim kishte mbi 922 mijë përdorues përmes celularit.

(BalkanWeb)

Etiketa: