TEPELENE

Një aksident i rëndë ka ndodhur në autostradën Levan-Tepelenë, pranë fshatit Varibob dhe për pasojë dy persona kanë humbur jetën, ndërsa pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Sipas policisë, fillimisht në këtë ngjarje të rëndë një mjet ka përplasur një këmbësor dhe njerëzit e zonës dhe pasagjerë të tjerë kanë ndaluar për t’i dhënë ndihmën e parë të aksidentuarit, por një makinë e tipit “Opel” është futur në parakalim duke marrë përpara edhe persona të tjerë.

Mësohet se pasagjerët kanë zbritur për të parë aksidentin e sapondodhur, por për fatin e tyre të keq në atë moment një tjetër automjet ka marrë përpara të paktën 5 persona duke rënduar kështu bilancin e të plagosurve.

Menjëherë pas incidentit të dytë, policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit që përplasi pasagjerët e autobusit.

Gazetari i “BalkanWeb”, Ervis Kuçi ka raportuar  nga vendi i aksidentit se dy persona kanë humbur jetën në vend dhe identiteti i tyre është Fetah Shahaj, 64 vjeç dhe Durim Lamaj, 55 vjeç. Mësohet se drejt vendit të aksidentit janë nisur 5 autoambulanca dhe po kryejnë transportin e të plagosurve drejt Spitalit Rajonal të Fierit. Ata  janë identifikuar si; Haxhi Lamaj, Menyre Lamaj, Agron Cocalli, Jorgo Meraj dhe Sokol Dhima.

Gjithashtu “BalkanWeb” ka mësuar se gjendja shëndetësore e të plagosurve, të cilat janë transportuar drejt spitalit të Fierit është e komplikuar, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi zyrtar i policisë:

“Në datën 06.01.2019, rreth orës 18:00, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, në vendin e quajtur “Varibob”, një automjet ka përplasur një këmbësor.

Në vendngjarje janë grumbulluar disa banorë të zonës dhe pasagjerë të një mjeti tjetër që kishte parkuar aty për të dhënë ndihmën e parë personit të aksidentuar, të cilët janë përplasur nga një mjet tjetër tip “Opel” i cili ka hyrë në parakalim.

Për pasojë kanë ndërruar jetë shtetasit F.Sh, 64 vjeç, banues në Tiranë dhe D.L, 55 vjeç, banues në Vjosë, Fier si edhe janë dërguar në Spitalin Rajonal Fier dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve 5 shtetas të tjerë. Po punohet për identifikimin e shtetasve të plagosur dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes”, njofton policia.

(j.d/n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb